E martë, 10 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Ku të jetojnë gratë që largohen nga dhuna në familje? Sijarina: Strehimoret nuk mjaftojnë

Ku të jetojnë gratë që largohen nga dhuna në familje? Sijarina: Strehimoret nuk mjaftojnë

Aktivistja nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, Liridona Sijarina, ka kërkuar që shteti të sigurojë banim social për gratë e mbijetuara të dhunës në familje, duke theksuar se kapacitetet dhe kohëzgjatja e qëndrimit në strehimore janë të kufizuara.

Në “Përballje Podcast” me kryredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu, Sijarina ka deklaruar se mbrojtja e grave duhet të përfshijë ndërhyrje socio-ekonomike dhe mundësi konkrete për rehabilitim.

“Ne kemi paraparë dhe kemi kërkuar ndërhyrje socio-ekonomike. E kemi parë që është e një rëndësie të jashtëzakonshme të sigurohet banim social për gratë që janë të mbijetuara të dhunës në familje”, ka thënë ajo.

Sipas Sijarinës, ndonëse buxheti i strehimoreve është rritur, mundësitë e tyre për t’u ofruar ndihmë grave mbeten të pamjaftueshme.

“U është rritur pak buxheti, por megjithatë janë jashtëzakonisht të kufizuara në kapacitetin që kanë për t’u ndihmuar grave, për shkak se edhe koha e qëndrimit aty është e përcaktuar”, ka deklaruar ajo, shkruan Telegrafi.

– YouTube www.youtube.com

Sijarina ka theksuar se banimi i sigurt duhet të jetë pjesë e përgjegjësisë shtetërore për mbrojtjen dhe rehabilitimin e të mbijetuarave.

“Grave u duhet një shtëpi ku mund të rehabilitohen dhe këtë shtëpi duhet t’ua sigurojë shteti”, ka thënë ajo.

Duke shpjeguar rëndësinë e kësaj kërkese, Sijarina ka vlerësuar se shumë gra jetojnë në prona që janë në emër të bashkëshortëve ose familjarëve të tyre. Sipas saj, largimi i bashkëshortit nga një ambient abuziv nuk e largon domosdoshmërisht rrezikun që mund të vijë nga persona të tjerë

Në këtë kontekst, ajo ka përmendur rastin e Arlinda Zekajt, duke theksuar se rreziku mund të vazhdojë edhe në shtëpinë që është pronë e vetë gruas.

“Ajo shtëpi ka qenë e Arlindës, por personat që ia kanë pushtuar atë shtëpi kanë qenë aty dhe kunati e ka vrarë”, ka deklaruar Sijarina. /Telegrafi/.

Lini një koment