KINË – Suficiti tregtar kalon mbi një trilion dollarë
PEKIN, 10 nëntor /ATSH-DPA/ – Suficiti tregtar i Kinës ka tejkaluar shifrën prej një trilion dollarësh në 10 muajt e parë të vitit 2026, duke vazhduar serinë e rekordeve të vendit, ndërsa eksportet vazhdojnë të rriten me shpejtësi.
Sipas të dhënave të publikuara të martën nga autoritetet doganore kineze, suficiti arriti në rreth 1,04 trilion dollarë në periudhën janar-tetor.
Si eksportet, ashtu edhe importet, i tejkaluan pritshmëritë e analistëve në muajin tetor, pasi eksportet u rritën me 35,2% krahasuar me një vit më parë, ndërsa importet shënuan një rritje prej 41,6%.
Një nga faktorët që nxit eksportet e fuqishme të Kinës është hovi i inteligjencës artificiale, i cili ka krijuar një kërkesë të vazhdueshme jashtë vendit për teknologjinë dhe produktet elektrike kineze, të nevojshme për zgjerimin e infrastrukturës së IA-së.
Njëkohësisht, rritja e blerjeve të lëndëve të para ka kontribuar në rritjen e importeve kineze.
Suficiti tregtar gjigant i Kinës ka gjasa të shkaktojë pakënaqësi të mëtejshme te partnerët e saj tregtarë.
Pekini mbështetet te kërkesa nga jashtë për ta mbajtur ekonominë e tij në rrugën e duhur drejt arritjes së objektivit të rritjes prej 4,5% deri në 5% për këtë vit.
Rënia e importeve nga Evropa pasqyron gjithashtu një kërkesë të dobët brenda Kinës.
Në të kundërt, sipas shifrave doganore, importet nga Shtetet e Bashkuara, Azia Juglindore dhe Afrika u rritën me shifra që variojnë nga 35% në 42% gjatë muajit tetor./ a.jor.