E martë, 10 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›ABU DABI – Rifillojnë bisedimet SHBA-Rusi-Ukrainë pas një ndërprerjeje tetëmujore

ABU DABI – Rifillojnë bisedimet SHBA-Rusi-Ukrainë pas një ndërprerjeje tetëmujore

KIEV/MOSKË, 10 nëntor /ATSH-DPA/ – Bisedimet e para që synojnë përfundimin e luftës në Ukrainë nisën sot në mëngjes në Abu Dabi, njoftoi Rustem Umerov, kryenegociatori i Ukrainës dhe drejtuesi i Shërbimit të Zbulimit të Jashtëm.

Në një mesazh në platformën Telegram, Umerov shkroi se takimi i parë po zhvillohej me përfaqësues të Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë, Italisë, NATO-s dhe Komisionit Evropian.

Në takim po marrin pjesë gjithashtu i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.

“Prioritetet tona kryesore janë ndërprerja e armiqësive, garancitë e besueshme të sigurisë pas luftës, rimëkëmbja dhe zhvillimi ekonomik i Ukrainës, si dhe masat humanitare”, deklaroi Umerov, duke shtuar se synimi është të arrihet përparim në këto çështje dhe të afrohet paqja.

Bisedimet e ndërmjetësuara nga SHBA-ja mes përfaqësuesve të Rusisë dhe Ukrainës pritet të rifillojnë në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe, pas një ndërprerjeje prej më shumë se tetë muajsh.

Megjithatë, vëzhguesit nuk presin ndonjë përparim vendimtar nga kjo rundë bisedimesh, e cila është planifikuar të zhvillohet të martën dhe të mërkurën.

Presidenti amerikan Donald Trump ka rritur së fundmi pritshmëritë për një marrëveshje të afërt paqeje, duke folur për një “marrëveshje të madhe dhe të shkëlqyer” që pritet të arrihet së shpejti.

Takimi i fundit trepalësh u zhvillua në Gjenevë në muajin shkurt, pas dy takimeve të mëparshme në Abu Dhabi.

Komisioni Evropian konfirmoi se përfaqësuesit e BE-së do të jenë gjithashtu të pranishëm në Abu Dhabi, por pa specifikuar formatin e përfshirjes së tyre.

“Diskutimet kuptimplota për arkitekturën e sigurisë së Evropës mund të zhvillohen vetëm pasi të jetë arritur një armëpushim në Ukrainë”, deklaroi të hënën presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Ajo shtoi se këto diskutime duhet të zhvillohen në një forum të përshtatshëm, veçanërisht me pjesëmarrjen e aleatëve të NATO-s dhe vendeve anëtare të BE-së.

Më herët, Umerov kishte njoftuar për zhvillimin e takimeve të veçanta dhe të koordinuara me partnerët evropianë. Megjithatë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi në Moskë se bisedimet do të vazhdonin si më parë, nën ndërmjetësimin amerikan, duke theksuar se BE-ja nuk do të ishte pjesë e tryezës së negociatave në Abu Dhabi.

Përveç Umerovit, delegacioni ukrainas përfshin shefin e kabinetit presidencial, Kyrylo Budanov, zëvendësministrin e parë të Jashtëm, Serhiy Kyslytsya, zëvendësshefin e inteligjencës ushtarake, Vadym Skibitsky, si dhe kreun e grupit parlamentar të partisë presidenciale, Davyd Arakhamia.

Ata do të takohen me delegacionin rus, i cili kryesohet nga Vladimir Medinsky, këshilltar i presidentit Vladimir Putin dhe ish-ministër i Kulturës.

Në përbërje të delegacionit rus janë gjithashtu këshilltari i Putinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, zëvendësministrat e Jashtëm Sergei Ryabkov dhe Mikhail Galuzin, si dhe oficerët e Shtabit të Përgjithshëm, Igor Kostyukov dhe Yuri Shigarlovsky./ /Ad.Ab./ a.jor.

Lini një koment