E martë, 10 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Arte›Nis festivali “Netët e Muzikës Shqiptare”, koncerte dhe premiera deri më 5 dhjetor

Nis festivali “Netët e Muzikës Shqiptare”, koncerte dhe premiera deri më 5 dhjetor

Në Hollin Koncertor të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, nis festivali “Netët e Muzikës Shqiptare”.

Festivali vjen me një kalendar të pasur aktivitetesh, të cilat do të zhvillohen prej 11 nëntorit e deri më 5 dhjetor. Programi artistik do të përfshijë takime të hapura, koncerte, premiera, konferenca artistike si dhe vepra të reja muzikore shqiptare, duke ndërthurur traditën me risinë dhe duke bashkuar kompozitorë e artistë nga Shqipëria e Kosova.

Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor bëri të ditur se, festivali “Netët e Muzikës Shqiptare” i kushtohet muzikës sonë, identitetit kulturor dhe brezave të krijuesve që e pasurojnë atë.

Në natën e parë të festivalit, spektatorët do të mund të ndjekin disa prej veprave fituese të Konkursit Kombëtar “Tish Daija”, të cilat do të vijnë të interpretuara nga artistët e TKOBAP-së.

Në program do të jenë vepra nga Hajg Zaharian, Maksim Shehu, Ajet Çekiçi, Ylli Ramzoti dhe Niko Boçi, ndërsa mbrëmja do të përmbyllet me “Kuartet Harqesh” të kompozitorit të madh Tish Daija, emrin e të cilit mban dhe ky konkurs.

Lini një koment