E martë, 10 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Sporti›Carlos Augusto, pastaj Calhanoglu dhe Thuram! Tre rinovime me peshë për Interin

Carlos Augusto, pastaj Calhanoglu dhe Thuram! Tre rinovime me peshë për Interin

Hakan Calhanoglu, Carlos Augusto dhe Marcus Thuram: jo domosdoshmërisht sipas radhës, por këta janë tre lojtarët, me të cilët Interi do të rinovojë kontratën. Me vullnet dypalësh, sigurisht. Edhe nga ana e mesfushorit turk, që javët e fundit sikur kishte ngritur dyshime, duke krijuar përshtypjen e një mundje dore me klubin.

Tani nuk ka asnjë dyshim. Marotta, Baccin dhe Gordon Stipic, prokuratori i Calhanoglu, janë takuar dhe do të takohen shpesh gjatë javëve të ardhshme për të mbyllur marrëveshjen e re para se të përfundojë viti 2026. Parashikohet që kontrata të zgjatet edhe për dy vjet pas skadencës aktuale në qershor të 2027-ës. Ka një akord për kohëzgjatjen, por ende jo për shifrat.

Mesfushori përfiton aktualisht 6.5 milionë euro në sezon. Mosha dhe dëmtimet që lojtari ka pasur dy vitet e fundit e bëjnë klubin zikaltër që të mbrohet, por pa humbur besimin te “Calha”, thelbësor në aspektin taktik.

Në tavolinën e drejtuesve zikaltër janë edhe dosjet e Carlos Augusto dhe Thuram. Braziliani është gati për firmën që do ta lidhte me Interin deri në vitin 2031. Me sulmuesin francez janë bërë kontaktet e para për të projektuar të ardhmen përtej 2028-ës. Vullneti është për një “kontratë të përjetshme” dhe ideja është për të ndjekur me Thuram të njëjtën rrugë si me Lautaro Martinez.

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Lini një koment