E martë, 10 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›BE: Komisioni evropian publikon udhëzime të reja për emergjencat, qytetarët të përgatiten për 72 orët e para të krizës

BE: Komisioni evropian publikon udhëzime të reja për emergjencat, qytetarët të përgatiten për 72 orët e para të krizës

Bruksel, 10 nëntor, ATSH,– Komisioni Evropian ka publikuar udhëzime të reja për përgatitjen e qytetarëve dhe komuniteteve për situata emergjente, duke rekomanduar që familjet të sigurojnë rezerva të domosdoshme për të përballuar të paktën 72 orët e para të një krize.

Udhëzimet u prezantuan më 3 nëntor nga komisionerja evropiane për Barazinë, Gatishmërinë dhe Menaxhimin e Krizave, Hadja Lahbib, në Forumin Evropian të Mbrojtjes Civile. Ato janë pjesë e Strategjisë së BE-së për Gatishmërinë, të miratuar në mars 2025.

Sipas Komisionit Evropian, synimi është që qytetarët të jenë në gjendje të përmbushin nevojat bazë gjatë ditëve të para të një emergjence, ndërsa autoritetet mobilizojnë ndihmën. Rekomandimet përfshijnë sigurimin e ujit të pijshëm, ushqimeve që ruhen për një kohë të gjatë, ilaçeve të nevojshme, mjeteve të ndriçimit dhe komunikimit, si dhe një çante me pajisje për raste emergjence.

Udhëzimet nuk lidhen vetëm me skenarë lufte apo sulme hibride, por mbulojnë një gamë të gjerë rreziqesh, përfshirë fatkeqësitë natyrore, krizat shëndetësore, sulmet kibernetike dhe ndërprerjet e shërbimeve jetike.

Dokumenti përfshin gjithashtu masa për përfshirjen e përgatitjes për emergjenca në edukimin shkollor, përshtatjen e planeve për personat me aftësi të kufizuara dhe përmirësimin e komunikimit të autoriteteve me publikun për rreziqet dhe mënyrën e reagimit.

Komisioni thekson se udhëzimet nuk janë detyruese për qytetarët. Ato synojnë të ndihmojnë shtetet anëtare të forcojnë gatishmërinë dhe të krijojnë një kulturë të përbashkët të përgatitjes për krizat, duke përmirësuar aftësinë e individëve dhe komuniteteve për të reaguar në kohë.

Në kuadër të kësaj nisme, Komisioni Evropian ka propozuar gjithashtu krijimin e një Dite Evropiane të Gatishmërisë, që do të shënohet çdo vit më 23 tetor, duke nisur nga viti 2027. Propozimi duhet të shqyrtohet nga institucionet përkatëse të BE-së.

Lini një koment