FOKUS – Gjermanët më të ndarë ndaj Ukrainës se sa ndaj emigrantëve
BERLIN,10 nëntor /ATSH-DPA/ – Mbështetja për Ukrainën e përballur me pushtimin rus ka shkaktuar më shumë përçarje në shoqërinë gjermane se çdo çështje tjetër, përfshirë emigracionin, sipas një sondazhi të publikuar sot.
Barometri më i fundit i “Polarizimit”, i realizuar nga Forumi Mercator për Migracionin dhe Demokracinë (MIDEM) pranë Universitetit Teknik të Dresdenit, tregon se rreth 54% e popullsisë dëshiron që Gjermania të vazhdojë mbështetjen për Ukrainën, ndërsa pak më pak se 29% favorizojnë afrimin e marrëdhënieve me Rusinë.
Thellimi i ndarjeve pasqyrohet edhe në rritjen e përqindjes së personave që mbajnë qëndrimin më të fortë pro rus.
”Në një shkallë vlerësimi nga 0 në 10, kjo përqindje është rritur nga 13,7% në sondazhin e mëparshëm në 17,3%”, deklaroi drejtori i MIDEM-it, Hans Vorlander.
Rreth 17% e të anketuarve ose nuk mbajnë një qëndrim të qartë në asnjërin drejtim, ose nuk ndihen në gjendje të shprehin një opinion për këtë çështje.
Studimi u realizua në mars të këtij viti, me pjesëmarrjen e 2 785 personave mbi 18 vjeç.
Megjithatë, studiuesit nuk konstatuan një rritje të përgjithshme të polarizimit në krahasim me vitin 2025.
Sa i përket emigracionit, 65,1% e të anketuarve mendojnë se mundësitë për të huajt që të emigrojnë në Gjermani në përgjithësi duhet të kufizohen.
Kjo shifër ka ndryshuar pak krahasuar me vitin e kaluar, kur ishte 67%.
Një ndryshim më i dukshëm vërehet në qëndrimet ndaj emigracionit të punonjësve të kualifikuar.
Sipas rezultateve, 56% e popullsisë mbështesin lehtësimin e procedurave për emigrimin e punonjësve të huaj të kualifikuar në Gjermani, ndërsa 27% janë kundër.
Një vit më parë, 61% e të anketuarve mbështesnin lehtësimin e rregullave për emigrimin e kësaj kategorie punonjësish, ndërsa 23% kundërshtonin një politikë të tillë./ /Ad.Ab./ a.jor.