Ramadani për vizitën e Listës Studentore serbe: Provokim i rëndë, si hynë në Kosovë?
Anëtari i Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Burim Ramadani, e ka cilësuar si provokim të rëndë vizitën e përfaqësuesve të Listës Studentore të Serbisë në Kosovë.
Përmes një reagimi në Facebook, Ramadani ka kërkuar sqarime se si kanë hyrë në Kosovë këta persona dhe nëse vizita e tyre është realizuar me autorizimin e institucioneve përkatëse.
Ai ka thënë se, pavarësisht se cilës strukturë politike në Serbi i përkasin, politikanët serbë nuk duhet të lejohen të hyjnë në Kosovë për të nxitur provokime dhe për të fyer shtetin.
Ramadani ka bërë të ditur se Komisioni Parlamentar për Siguri ka vendosur t’i kërkojë Ministrit të Punëve të Brendshme informatë me shkrim lidhur me këtë vizitë.
Si anëtar i këtij komisioni, ai ka kërkuar që informacionet të jenë të plota dhe të sakta, duke theksuar rëndësinë e llogaridhënies së Qeverisë.
“Llogaridhënia e qeverisë është e domosdoshme”, ka shkruar Ramadani.
Vizita e Listës Studentore të Serbisë ishte temë diskutimi edhe në mbledhjen e sotme të Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, ku u ngritën pyetje nëse përfaqësuesit e saj kishin marrë leje nga institucionet kompetente për të hyrë në Kosovë. /Telegrafi/