E martë, 10 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Vazhdon rritja e çmimeve në Kosovë, inflacioni vjetor arrin në 7.1%

Vazhdon rritja e çmimeve në Kosovë, inflacioni vjetor arrin në 7.1%

Çmimet e konsumit në Kosovë janë rritur për 7.1 për qind tetorin e këtij viti, krahasuar me tetorin e vitit të kaluar. Rritja më e madhe vjetore është regjistruar në sektorin e transportit, ku çmimet janë ngritur për 21,5%.

Inflacioni në Kosovë ka vazhduar të mbetet në nivele të larta edhe gjatë muajit tetor 2026, ndonëse krahasuar me muajin paraprak nuk është regjistruar ndryshim në nivelin e përgjithshëm të çmimeve.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), inflacioni vjetor në tetor ka arritur në 7.1 për qind, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2025.

Në publikimin e fundit, ASK ka bërë të ditur se Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) gjatë tetorit 2026 ishte 0.0 për qind krahasuar me shtatorin e këtij viti.

Megjithatë, mosndryshimi i indeksit të përgjithshëm mujor nuk nënkupton se çmimet kanë mbetur të pandryshuara në të gjitha kategoritë e produkteve dhe shërbimeve.

Sipas ASK-së, gjatë tetorit janë regjistruar rritje të çmimeve në disa grupe kryesore të konsumit. Rritja më e madhe mujore është vërejtur te grupi i strehimit, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve të tjera djegëse, me 1.7 për qind.

Rritje prej 1.1 për qind është regjistruar edhe te ushqimi dhe pijet joalkoolike, ndërsa pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët kanë shënuar rritje prej 0.3 për qind.

Po ashtu, rritje mujore prej 0.3 për qind është regjistruar te kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallrat e shërbimet e ndryshme, ndërsa mobiljet, pajisjet shtëpiake dhe mirëmbajtja rutinore e shtëpisë janë shtrenjtuar për 0.2 për qind. E njëjta rritje është regjistruar edhe te restorantet dhe shërbimet e akomodimit.

“Rritja është ndikuar nga grupet kryesore të COICOP-it, si: transport (21,5 %); strehim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse (9,7 %); pije alkoolike, duhan dhe narkotikë (5,0 %); restorante dhe shërbime akomodimi (4,5 %); kujdes personal, mbrojtje sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme (3,7 %); ushqim dhe pije joalkoolike (3,2 %); mobilje, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje rutinore shtëpiake (2,9 %); shëndetësi (2,9 %); veshje dhe këpucë (2,3 %); rekreacion, sport dhe kulturë (1,0 %); informacion dhe komunikim (0,7 %); si dhe sigurime dhe shërbime financiare (0,3 %)”

Në anën tjetër, gjatë këtij muaji janë regjistruar edhe ulje çmimesh në disa kategori. Rënia më e madhe ishte te transporti, me 2.2 për qind, pasuar nga rekreacioni, sporti dhe kultura me 1.4 për qind. Ulje më të vogla janë regjistruar te veshjet dhe këpucët, si dhe informacioni dhe komunikimi, me nga 0.1 për qind.

Megjithatë, kur krahasohen çmimet e tetorit 2026 me ato të tetorit të vitit të kaluar, rritja është dukshëm më e madhe.

ASK ka bërë të ditur se inflacioni vjetor prej 7.1 për qind është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve në grupin e transportit, ku shtrenjtimi ka arritur në 21.5 për qind.

Pas transportit, rritja më e madhe është regjistruar te strehimi, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët e tjera djegëse, me 9.7 për qind.

Përveç këtyre kategorive, rritje të konsiderueshme janë regjistruar edhe te pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët, me 5 për qind, si dhe te restorantet dhe shërbimet e akomodimit, me 4.5 për qind.

“Përkundër mos-ndryshimit në muajin tetor 2026 të Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit, krahasuar me muajin shtator 2026, vërehen disa ndryshime në grupet kryesore të COICOP-it, si: strehim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse (1,7 %); ushqim dhe pije joalkoolike (1,1 %); pije alkoolike, duhan dhe narkotikë (0,3 %); kujdes personal, mbrojtje sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme (0,3 %); mobilje, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje rutinore shtëpiake (0,2 %); si dhe restorante dhe shërbime akomodimi (0,2 %)”.

Kujdesi personal, mbrojtja sociale dhe mallrat e shërbimet e ndryshme kanë shënuar rritje prej 3.7 për qind, ndërsa ushqimi dhe pijet joalkoolike janë shtrenjtuar për 3.2 për qind.

Në kategoritë e tjera, mobiljet, pajisjet shtëpiake dhe mirëmbajtja rutinore e shtëpisë kanë shënuar rritje prej 2.9 për qind, po aq sa edhe shëndetësia. Veshjet dhe këpucët janë shtrenjtuar për 2.3 për qind, rekreacioni, sporti dhe kultura për 1 për qind, ndërsa informacioni dhe komunikimi për 0.7 për qind.

Rritja më e vogël është regjistruar te sigurimet dhe shërbimet financiare, me 0.3 për qind.

E vetmja kategori ku ASK ka evidentuar rënie vjetore të çmimeve janë shërbimet arsimore, me 0.3 për qind

Lini një koment