E martë, 10 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›FOKUS – SHBA riafirmon mbështetjen për NATO-n dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën

FOKUS – SHBA riafirmon mbështetjen për NATO-n dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën

BRUKSEL, 10 nëntor /ATSH-DPA/ – Shtetet e Bashkuara kanë riafirmuar mbështetjen e tyre për NATO-n dhe planet për garanci të besueshme sigurie për Ukrainën.

Një deklaratë e lëshuar në Abu Dabi nga i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe Bashkimi Evropian pak para fillimit të bisedimeve Ukrainë-Rusi tha se palët kishin riafirmuar angazhimin e tyre për një arkitekturë të fortë sigurie evropiane dhe rregullime të përshtatshme për periudhën e pasluftës.

Deklarata gjithashtu bëri të qartë se një NATO e fortë do të vazhdonte të luante një rol qendror në mbrojtjen kolektive euroatlantike.

”Çdo rregullim i ardhshëm duhet të ofrojë garanci të besueshme sigurie për Ukrainën dhe të respektojë sovranitetin, integritetin territorial dhe lirinë e vendit për të marrë vendimet e veta”, thuhet në deklaratë.

Qëllimi i përbashkët ishte të punohej drejt bisedimeve më të gjera shumëpalëshe që përfshijnë partnerët evropianë dhe të sigurohej një paqe gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme.

Deklarata u publikua pas një takimi midis ekipit negociator të SHBA-së dhe përfaqësuesve të Ukrainës, BM-së, Francës, Gjermanisë, Italisë, NATO-s dhe BE-së.

Takimi u organizua para fillimit të bisedimeve të ndërmjetësuara nga SHBA-të midis Ukrainës dhe Rusisë.

“Bisedimet midis partnerëve evropianë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara u zhvilluan në një frymë bashkëpunimi dhe pasqyruan objektivat e përbashkëta, konsultimet e vazhdueshme dhe angazhimin e tyre ndaj sigurisë euroatlantike”, theksohet në deklaratë.

Diskutimet u përqendruan në mënyrën e sigurimit të mekanizmave efektivë për menaxhimin e rreziqeve dhe parandalimin e përshkallëzimit të rrezikshëm, si dhe në mënyrën e ndërtimit mbi institucionet dhe marrëveshjet ekzistuese evropiane të sigurisë pasi të përfundojë lufta në Ukrainë./ a.jor.

Lini një koment