SHBA – Hegseth: Nisma për shkarkimin tim, spektakël politik
– Sekretari amerikan i Luftës, Pete Hegseth, i cilësoi si të motivuara politikisht përpjekjet për shkarkimin e tij, duke i përshkruar si një sulm ndaj ushtrisë amerikane dhe administratës së presidentit Donald Trump.
Gjatë një konference për shtyp në Pentagon, Hegseth hodhi poshtë nismën për shkarkimin e tij, të ndërmarrë nga kongresmeni republikan Thomas Massie, duke e cilësuar atë si një përpjekje për të tërhequr vëmendjen dhe jo si një nismë për llogaridhënie.
“Ajo që po përpiqet të bëjë një kongresmen i pakënaqur dhe i mundur nuk është mbikëqyrje dhe as llogaridhënie. Është një spektakël politik, një manifest personal i nxitur nga egoja dhe pakënaqësia”, deklaroi Hegseth.
Kongresmeni Massie, nga shteti i Kentakit, paraqiti dje në Dhomën e Përfaqësuesve, një rezolutë me tetë pika për shkarkimin e Hegseth, duke e akuzuar atë për shkelje të rënda të ligjit dhe Kushtetutës amerikane.
Nisma lidhet kryesisht me drejtimin e luftës kundër Iranit, të nisur në shkurt nga administrata Trump dhe Izraeli, pa miratimin e Kongresit amerikan.
Massie pretendon se vazhdimi i operacioneve ushtarake, ka shkelur edhe kufizimet e përcaktuara nga ligji amerikan për kompetencat e presidentit në kohë lufte.
Rezoluta përfshin gjithashtu akuza për operacionet ushtarake në Jemen, Venezuelë, Karaibe dhe në pjesën lindore të Oqeanit Paqësor, si dhe për trajtimin e civilëve gjatë konflikteve të armatosura.
Hegseth i cilësoi akuzat si të pabazuara, duke deklaruar se operacionet ushtarake janë kryer në përputhje me ligjin dhe me urdhrat e presidentit Trump.
“Unë qëndroj pas secilit prej këtyre operacioneve. Jam krenar që i kam zbatuar dhe do ta bëja sërish”, tha ai.
Sekretari amerikan shmangu përgjigjet për disa pyetje lidhur me pasojat e luftës në Iran dhe përgjegjësinë e SHBA-së për një sulm ndaj një shkolle vajzash, ku humbën jetën dhjetëra persona, shumica fëmijë.
Përpjekjet për shkarkimin e tij vijnë në një moment të vështirë për administratën Trump, pas humbjes së republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit javën e kaluar.
Disa zyrtarë republikanë kanë lidhur rezultatet e dobëta të partisë, me pakënaqësinë e votuesve ndaj luftës në Iran dhe pasojave të saj ekonomike.
Presidenti Donald Trump shprehu mbështetjen për Hegseth, duke vlerësuar paraqitjen e tij gjatë konferencës për shtyp.
Edhe zëvendëspresidenti JD Vance e cilësoi nismën për shkarkimin e sekretarit si një përpjekje të pavend, duke argumentuar se mosmarrëveshjet për politikat ushtarake, duhet të trajtohen përmes debatit dhe legjislacionit.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, e përshkroi nismën e Massie si një përpjekje politike për të tërhequr vëmendjen, duke shprehur bindjen se ajo do të rrëzohet.
Dhoma e Përfaqësuesve pritet të shqyrtojë nismën përmes një votimi procedural, për të vendosur nëse rezoluta do t’i dërgohet Komitetit Gjyqësor për shqyrtim të mëtejshëm apo do të hidhet poshtë.
Nëse Dhoma e Përfaqësuesve voton në favor të shkarkimit, çështja do t’i kalojë Senatit amerikan, i cili do të duhet të zhvillojë procesin përkatës.
Hegseth është përballur me kritika për drejtimin e operacioneve ushtarake amerikane dhe mënyrën e trajtimit të konfliktit me Iranin.
Megjithatë, ai ka deklaruar se nuk ka kryer asnjë shkelje dhe se do të vazhdojë të mbështesë vendimet ushtarake të administratës Trump. /