E martë, 10 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›GJERMANI – Inteligjenca artificiale pritet të zhdukë 800 mijë vende pune deri në 2041

GJERMANI – Inteligjenca artificiale pritet të zhdukë 800 mijë vende pune deri në 2041

BERLIN, 10 nëntor /ATSH-DPA/ – Inteligjenca artificiale pritet të sjellë ndryshime të mëdha në tregun gjerman të punës, duke çuar në zhdukjen e rreth 800 mijë vendeve të punës gjatë 15 viteve të ardhshme, por njëkohësisht duke krijuar një numër të ngjashëm pozicionesh të reja.

Parashikimi u bë nga Andrea Nahles, drejtuese e Agjencisë Federale të Punësimit në Gjermani, në një intervistë për gazetën gjermane “Handelsblatt”.

“Ne parashikojmë që gjatë 15 viteve të ardhshme rreth 800 mijë vende pune në Gjermani, do të zhduken për shkak të inteligjencës artificiale, por një numër i ngjashëm vendesh të reja pune do të krijohen”, deklaroi Nahles.

Ajo paralajmëroi se ndikimi nuk do të jetë i njëjtë në të gjithë sektorët e ekonomisë.

Më të prekura pritet të jenë kompanitë që ofrojnë shërbime për bizneset, si dhe pozicionet që përfshijnë analiza dhe përpunim të dhënash në banka dhe kompani sigurimesh.

“Disa sektorë do të goditen më shumë nga shkurtimet e vendeve të punës, si ofruesit e shërbimeve për bizneset dhe pozicionet analitike në kompanitë e sigurimeve dhe bankat”, tha Nahles.

Megjithatë, ajo u shpreh në favor të rritjes së investimeve në inteligjencën artificiale në Gjermani, me kusht që këto investime të sjellin rritje të produktivitetit dhe të mos bëhen thjesht për shkak të popullaritetit të teknologjisë.

Sipas saj, humbja e vendeve të punës nuk do të prekë domosdoshmërisht më shumë personat me arsim të lartë.

Nahles vuri në dukje se edhe të diplomuarit në universitet, po përballen me vështirësi për të hyrë në tregun e punës dhe mund të presin më gjatë, për të gjetur një punë që përputhet me kualifikimet dhe pritshmëritë e tyre.

Megjithatë, ajo theksoi se të diplomuarit vazhdojnë të kenë perspektiva më të mira punësimi krahasuar me grupet e tjera.

Sipas saj, vështirësitë në këtë drejtim lidhen jo vetëm me inteligjencën artificiale, por edhe me situatën e dobët ekonomike.

Në të kundërt, profesionet që kërkojnë punë praktike dhe përdorin më pak inteligjencën artificiale, si ato në sektorin e zanateve, rezultojnë më rezistente ndaj këtij transformimi.

Nahles theksoi se edhe punonjësit pa kualifikime të veçanta mund të kenë mundësi punësimi, pasi në disa raste zëvendësimi i tyre me teknologji nuk është ekonomikisht i leverdishëm.

Megjithatë, ajo paralajmëroi se asnjë kategori profesionale nuk është plotësisht e mbrojtur nga ndryshimet që sjell inteligjenca artificiale.

Duke iu referuar një tjetër sfide të tregut gjerman të punës, drejtuesja e Agjencisë Federale të Punësimit theksoi se vendi humbet çdo vit rreth 500 mijë punonjës, në terma neto për shkak të ndryshimeve demografike.

Ajo kërkoi që Gjermania të tërheqë më shumë punonjës të kualifikuar nga vendet jashtë Bashkimit Evropian, duke argumentuar se emigracioni neto ka rënë ndjeshëm.

Për këtë arsye, Nahles kërkoi krijimin e një agjencie të posaçme “Work-and-Stay”, e cila do të lehtësonte procedurat për ardhjen dhe punësimin e specialistëve të huaj, duke i bërë ato më moderne, më të shpejta dhe më të digjitalizuara.

Parashikimi i saj pasqyron një transformim të rëndësishëm të tregut gjerman të punës, ku inteligjenca artificiale pritet, jo vetëm të zëvendësojë një pjesë të vendeve ekzistuese, por edhe të krijojë profesione dhe mundësi të reja punësimi. /

Lini një koment