Kosova me ndryshime në mbrojtje, Foda duhet të krijojë një treshe të re për ndeshjet e nëntorit
Lumbardh Dellova është larguar nga grumbullimi i Kombëtares së Kosovës, ndërsa në vend të tij përzgjedhësi Franco Foda ka ftuar Betim Fazlijin. Kjo situatë e vështirëson edhe më shumë organizimin e repartit defensiv të Dardanëve, pasi në këtë grumbullim mungon edhe Albian Hajdari, i cili vazhdon të jetë jashtë fushave për shkak të një lëndimi afatgjatë, siç njofton Telegrafi.
Në mungesë të dy mbrojtësve të rëndësishëm, Foda do të duhet të eksperimentojë me një treshe të re në qendër të mbrojtjes për ndeshjet ndaj Izraelit dhe Irlandës. Në sistemin 3-4-3, të cilin përzgjedhësi gjerman e ka përdorur vazhdimisht, pritet që në krahët e mbrojtjes të luajnë Mërgim Vojvoda në të djathtë dhe Dion Gallapeni në të majtë.
Një lajm pozitiv për Kosovën është rikthimi i Kreshnik Hajrizit, i cili mungoi në katër ndeshjet e muajit tetor për shkak të lëndimit. Sa herë që ka pasur mundësinë të luajë për Dardanët, mbrojtësi i Sionit ka treguar paraqitje të mira dhe ka qenë në nivelin e kërkuar. “Rikthimi im është një kënaqësi e madhe. Stërvitja ka shkuar shumë mirë. Po përgatitemi për ndeshjen dhe i gjithë ekipi ndihet shumë mirë. Atmosfera është e mirë. Shpresojmë për një lojë të mirë dhe pozitive, me tri pikë”, ka deklaruar Hajrizi.
Njëra prej mundësive që ka në dispozicion Foda është që Hajrizi të luajë në krahun e djathtë të treshes, Ilir Krasniqi në qendër dhe Ron Raçi në të majtë. Ky kombinim do t’i jepte Kosovës një strukturë të re në prapavijë, por përzgjedhësi ka edhe alternativa të tjera.
Në këtë grumbullim, për herë të parë janë ftuar edhe Bleon Kurtulus dhe Lindrit Kamberi, të cilët mund të ofrojnë zgjidhje shtesë. Të dy kanë mundësi të luajnë në krahun e djathtë, por edhe në qendër të mbrojtjes në sistemin me tre futbollistë. Kamberi është 27 vjeç dhe produkt i akademisë së FC Zurichut, ku është shndërruar në një futbollist të rëndësishëm dhe këtë sezon ka bartur edhe shiritin e kapitenit; më parë ka përfaqësuar Zvicrën U19 dhe U20. Kurtulus, mbrojtësi i Malmo FF-së, është një prej talenteve premtues të futbollit suedez: ka debutuar në elitë në moshën 16-vjeçare dhe ka përfaqësuar Suedinë në disa grupmosha, nga U16 deri te U21, me gjithsej 35 paraqitje.
Megjithatë, Ilir Krasniqi pritet të jetë një prej pikave të palëvizshme në qendër të mbrojtjes. Ai ishte titullar në të katër ndeshjet e muajit tetor dhe në secilën prej tyre luajti nga 90 minuta, duke dëshmuar rëndësinë që ka në skemat e përzgjedhësit.
Përzgjedhësi Foda ka folur për përfshirjen e futbollistëve të rinj, si pjesë e strategjisë për të ruajtur cilësinë e Kombëtares dhe për t’u përgatitur për kualifikimet e ardhshme të Kampionatit Evropian. “Është e rëndësishme të kemi disa mundësi, jo vetëm për ndeshjet e radhës, por edhe për të ardhmen. Është e rëndësishme ta kemi parasysh të ardhmen e Kombëtares dhe ta ruajmë cilësinë, në mënyrë që të përgatitemi edhe për kualifikimet e Kampionatit Evropian”, ka thënë Foda.
Një tjetër alternativë e vlefshme është Betim Fazliji, i cili mund të luajë në të gjitha pozicionet e mbrojtjes, por edhe si mesfushor defensiv. Lojtari i St Gallen vjen pas një periudhe të rëndë nga lëndimet, por këtë vit ka filluar ta marrë formën që e kishte dikur. Me mungesat e Dellovës dhe Hajdarit, si dhe me rikthimin e Hajrizit dhe debutuesit e mundshëm Kurtulus e Kamberi, Foda ka disa kombinime në dispozicion, por mbetet të shihet se cilës treshe do t’i besojë në dy sfidat e rëndësishme të nëntorit.