Pikëpyetjet mbi “Rinia Nacionaliste” dhe lidhjet me “Forumi Rinor Islamik”
Një vendim i Gjykatës Penale të Kajros për të përfshirë 35 organizata islamike dhe 36 individë në listat egjiptiane të terrorizmit ka ngritur pikëpyetje mbi veprimtarinë e një organizate rinore islamike nga Maqedonia e Veriut dhe lidhjet e saj me rrjetet ndërkombëtare të organizatave myslimane.
Vendimi është marrë më 10 nëntor 2026 dhe është publikuar në Gazetën Zyrtare të Egjiptit, numri 250, shtojcë, në kuadër të çështjes penale nr. 11108 të vitit 2026. Masat kanë një afat pesëvjeçar dhe përfshijnë kufizime të veprimtarisë, financimit dhe pasurive sipas legjislacionit egjiptian.
Mes organizatave të përfshira në listë ndodhet edhe një shoqatë nga Maqedonia e Veriut, e identifikuar në arabisht si “Tajammu al-Shabab al-Islami”, që përkthehet “Shoqata Rinore Islame”.
Mediat maqedonase kanë ngritur dyshimin se bëhet fjalë për organizatën “Forumi Rinor Islamik”, e njohur edhe me shkurtimin FRI. Megjithatë, identiteti juridik i organizatës së përmendur në vendimin egjiptian nuk është konfirmuar përfundimisht.
Forumi Rinor Islamik është një organizatë me veprimtari në Maqedoninë e Veriut, e themeluar në vitin 2000, sipas një raporti të publikuar nga Counter Extremism Project mbi veprimtarinë e rrjeteve të lidhura me Vëllazërinë Myslimane në Evropën Qendrore dhe Lindore.
Raporti e identifikon organizatën me seli në Tetovë dhe dokumenton pjesëmarrjen e përfaqësuesve të saj në strukturat dhe aktivitetet e FEMYSO-s, Forumit të Organizatave Rinore dhe Studentore Myslimane të Evropës. Sipas këtij studimi, përfaqësues të FRI-së kanë qenë edhe pjesë e drejtimit të këtij rrjeti evropian.
FEMYSO është një rrjet që bashkon organizata rinore myslimane nga vende të ndryshme evropiane. Marrëdhëniet e organizatave anëtare me lëvizje politike islamike kanë qenë objekt studimesh dhe debatesh, por anëtarësimi në këtë rrjet nuk përbën në vetvete provë të përfshirjes në veprimtari të paligjshme.
Vendimi i Kajros përfshin gjithashtu Këshillin e Myslimanëve të Evropës, organizata nga Franca, Britania e Madhe, Gjermania, Zvicra dhe vende të tjera, si edhe institucione evropiane të studimeve fetare. Autoritetet egjiptiane i trajtojnë këto struktura në kuadrin e politikës së tyre kundër rrjeteve islamiste ndërkombëtare.
Muhamet Murtezi dhe lidhja me politikën vendore në Shkup
Një tjetër aspekt që kërkon sqarim është roli i Muhamet Murtezit, emri i të cilit lidhet në informacionet e siguruara me Forumin Rinor Islamik dhe me pushtetin vendor në komunën e Çairit, në Shkup.
Në faqen zyrtare të komunës së Çairit gjendet një profil i Murtezit, ndërsa informacionet e përcjella e identifikojnë atë si drejtues të këshillit komunal. Për të përcaktuar përgjegjësinë e tij në organizatë duhet verifikuar nëse ai mban aktualisht funksion drejtues në FRI, apo nëse bëhet fjalë për një rol të mëparshëm.
Kjo është e rëndësishme, pasi lidhja e një organizate fetare me një përfaqësues të pushtetit vendor është çështje me interes publik, por nuk nënkupton përgjegjësi personale për vendimin e një gjykate të huaj.
Lidhje të dokumentuara me politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut
Nga verifikimi i mëtejshëm rezulton se Muhamed Murtezi ka hyrë në politikën vendore në vitin 2025, si kryesues i listës së këshilltarëve të koalicionit VLEN për komunën e Çairit. Kandidatura e tij u njoftua nga Izet Mexhiti. Murtezi ka deklaruar se kishte qenë aktiv në shoqërinë civile që nga viti 1991 dhe kishte drejtuar për afro tri dekada shtëpinë botuese “Furkan Isom”.
Një lidhje publike mes Forumit Rinor Islam dhe drejtuesve politikë të Çairit dokumentohet edhe më 23 tetor 2026. Izet Mexhiti mori pjesë në aktivitetin e FRI-së “Në gjurmët e më të mirëve”, ku vlerësoheshin nxënës dhe studentë të dalluar.
Çfarë rezulton për protestat në Tiranë?
Më 13 gusht 2025, disa organizata myslimane dhe shoqata civile organizuan në Tiranë një protestë në mbështetje të Gazës. Mes organizatorëve përmendeshin Forumi Mysliman i Shqipërisë, forumi mediatik “Mexhlis”, shoqata “Thirrja për Mirësi”, TUMED dhe organizata të tjera.
Nje nga drejtuesit e Rinia Nacionaliste ne Tirane
Sipas informacioneve që janë vënë në dispozicion të gazetës, një strukturë e lidhur me këtë forum ka qenë e përfshirë edhe në organizimin ose pjesëmarrjen në protesta në Tiranë.
Në të njëjtën kohë, “Rinia Nacionaliste” ka deklaruar publikisht se synon krijimin e një partie të re politike, një zhvillim i veçantë që meriton vëmendje për shkak të origjinës së saj nga protestat.
Përgjigjet për drejtimin, financimin dhe lidhjet ndërkombëtare të organizatave përkatëse do të përcaktojnë nëse ekziston një histori më e gjerë për t’u dokumentuar .
Këto lidhje do të përcaktojnë nëse bëhet fjalë për bashkëpunim ndërmjet organizatave të pavarura, për anëtarësim në të njëjtin rrjet ndërkombëtar apo për një strukturë me drejtim të përbashkët.