Rregulla të reja për mjekët dhe infermierët e rinj, Rama njofton lehtësimin e procedurave për Provimin e Shtetit
Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur një ndryshim të ri në procedurat për profesionistët e shëndetësisë.
Përmes një akti të përbashkët të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministrisë së Arsimit, profesionistët e shëndetësisë do të mund t’i nënshtrohen Provimit të Shtetit menjëherë pas përfundimit të praktikës profesionale, pa qenë më të nevojshme procedurat e ndërmjetme të vlerësimit nga Urdhrat Profesionalë.
Sipas Ramës, nga ky ndryshim përfitojnë edhe ata që e kanë përfunduar praktikën profesionale, por janë ende në pritje të procedurave të vlerësimit.
“Nga sot, përmes një akti të përbashkët të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministrisë së Arsimit, vjen një ndryshim i shumëpritur për profesionistët e shëndetësisë, i cili lehtëson fillimet e tyre në jetën profesionale, ku me përfundimin e praktikës profesionale, ata do të mund t’i nënshtrohen Provimit të Shtetit, duke shmangur procedurat e ndërmjetme të vlerësimit nga Urdhrat Profesionalë.
Me këtë akt lehtësues, nga i cili përfitojnë edhe ata që e kanë përfunduar praktikën, por janë ende në pritje të procedurave të vlerësimit, synojmë të optimizojmë më tej mekanizmat e vlerësimit, duke u mbështetur në garantimin e cilësisë profesionale dhe shmangien e përsëritjeve procedurale duke nxitur profesionistët e rinj që t’i bashkohen sistemit shëndetësor me integritet e motivim, të kontribuojnë më shpejt dhe me më shumë përgjegjësi në shërbim të qytetarëve”, shkruan kryeministri Edi Rama ne facebook.