Kosova U19 i nis kualifikimet me humbje, mposhtet 2:0 nga Belgjika
Kombëtarja e Kosovës U19 e nisi me humbje rrugëtimin në kualifikimet për Kampionatin Evropian U19 2027, siç njofton Telegrafi. Dardanët e rinj u mposhtën 2:0 nga Belgjika në ndeshjen e parë të grupit, në një sfidë ku fati u vendos në pjesën e dytë.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Albert Bunjaku bën pjesë në Grupin A2, ku përveç Belgjikës janë edhe Skocia dhe Kazakistani. Ishte një start i vështirë për të rinjtë kosovarë, të cilët u përballën me një kundërshtar të fortë që në hapin e parë të këtyre kualifikimeve.
Pjesa e parë u mbyll 0:0, me lojë më të mirë të belgëve. Rasti më i mirë i 45 minutave të para i takoi pikërisht Belgjikës, por penalltia e Mohammed El Adfaoui në minutën e 10-të nuk u shfrytëzua dhe Kosova shkoi në pushim pa pësuar gol.
Në pjesën e dytë Kosova luajti më mirë dhe u përpoq të merrte më shumë nga loja, por belgët u treguan më konkretë përpara portës. Naim Amengai shënoi për 1:0 në minutën e 47-të, ndërsa Jessie Da Silva dyfishoi avantazhin vetëm dy minuta më vonë, në minutën e 49-të, rezultat që mbeti deri në fund të ndeshjes.
Tani vëmendja e Dardanëve të rinj kthehet te ndeshjet e radhës në grup. Kosova U19 luan ndaj Skocisë më 14 nëntor dhe ndaj Kazakistanit më 17 nëntor, ndërsa të gjitha ndeshjet e grupit luhen në Skoci.