Lufta kundër dezinformimit, Kuvendi përcakton institucionet përgjegjëse për strategjinë 2025–2030
Nën drejtimin e Kryetares, Iris Luarasi, u zhvillua mbledhja e radhës e Nënkomisionit për Integritetin e Informacionit Publik, Dezinformimin dhe Ndërhyrjet e Huaja, me fokus marrjen e masave strukturore kundër narrativave rrezikuese dhe lajmeve të rreme.
Sipas rendit të ditës, nënkomisioni diskutoi dhe miratoi kuadrin rregullator që do të normojë veprimtarinë e këtij trupi parlamentar.
“Sipas rendit të ditës, nënkomisioni diskutoi dhe miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektrregulloren për organizimin dhe funksionimin e Nënkomisionit për Integritetin e Informacionit Publik, Dezinformimin dhe Ndërhyrjet e Huaja,” njoftohet mbi ecurinë e punimeve të seancës.
Në pjesën e dytë të takimit, anëtarët e nënkomisionit u fokusuan te planifikimi afatshkurtër i punës parlamentare për mbylljen e vitit, si dhe te bashkërendimi me organet ekzekutive për zbatimin e strategjisë kombëtare.
“Pika e dytë në rendin e ditës ishte diskutimi i projektkalendarit të punimeve të nënkomisionit për periudhën Nëntor–Dhjetor 2026,” bëhet e ditur në njoftim, ndërsa shtohet se gjithashtu “Nënkomisioni për Integritetin e Informacionit Publik, Dezinformimin dhe Ndërhyrjet e Huaja identifikoi institucionet përgjegjëse për zbatimin e masave të parashikuara në strategjinë kombëtare kundër ndërhyrjeve të huaja dhe dezinformimit 2025–2030 dhe udhërrëfyesin e saj.”
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.