Buxheti i Mbrojtjes, ku do të investohet në ushtri? Nga sistemet anti-dron, tek anijet patrulluese, ja projektet që do të f
Edhe repartet ushtarake do të marrin një pjesë nga buxheti për vitin 2027, me para që do të shpenzohen për një sërë investimesh në infrastrukturë dhe pajisje.
Vetëm në repartet e Forcave të Luftimit, duke nisur me Forcën Tokësore, Ajrore, Detare dhe Regjimentin e Operacioneve Speciale, pritet të kryhen investime në një shumë prej 24.5 miliardë lekësh.
Me një vlerë prej 9.4 miliardë lekësh dhe një numër prej 18 investimesh, Forca Ajrore do të ketë shpenzimet kryesore të Forcave të Luftimit.
Konkretisht, këto Forca do të pajisen me bateri të mbrojtjes ajrore me rreze të mesme, investimi më i madh nga lista e publikuar për investimet në repartin e Forcës Ajrore. Po ashtu, edhe ngritja e Shkollës së Aviacionit apo ndërtimi i hangarëve në kuadër të saj, do të shoqërohen me një kosto të lartë në buxhetin e këtij reparti.
Në Bazën Ajrore të Kuçovës do të ndërtohet një qendër kontrolli, riparimesh mirëmbajtjeje dhe depo logjistike, ndërkohë në Bazën Ajrore të Farkës do të ngrihet një kullë e kontrollit të trafikut ajror.
Në 2027, do të blihen avionë me krahë Fix shumë rolesh dhe do të ndërtohet një sistem anti-dron C-UAS, ndërsa parashikohet kompletimi me helikopter UH-60 Blackhaëk në vitin 2029.
Për sa i përket Forcës Detare, kësaj të fundit do t’i shtohet një anije patrulluese luftarake me sistemet e plota luftarake. Kjo anije do t’i kushtojë vendit rreth 5.4 miliardë lekë. Në fokus të Forcës Ajrore do të jetë ndërtimi i infrastrukturës për bazën detare të NATO-s në portin e ri në Porto-Romano dhe rikonstruksioni i tunelit të nëndetseve dhe punimeve infrastrukturore ne Porto Palermo.
Nga ana tjetër, rreth 15 investime do të realizohen në repartin e Forcës Tokësore me një vlerë prej 7.7 miliardë lekës, ndërsa Regjimenti i Operacioneve Speciale rezulton me nivelin më të ulët të investimeve për vitin 2027.