E mërkurë, 11 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Sporti›Maran dhe Ismajli para Finlandës: Me ego personale nuk vazhdohet, në ndeshjen e parë na mungoi fati

Maran dhe Ismajli para Finlandës: Me ego personale nuk vazhdohet, në ndeshjen e parë na mungoi fati

Trajneri i Kombëtares, Rolando Maran, dhe mbrojtësi Ardian Ismajli kanë folur në konferencën për shtyp një ditë para duelit me Finlandën në “Air Albania”, siç njofton Shqiptarja.com. Kuqezinjtë, në harkun e katër ditëve, luajnë dy ndeshjet e fundit në grupin e Ligës së Kombeve, ndërsa ndeshja me Finlandën zhvillohet të premten në orën 20:45.

“Nuk është e rëndësishme kush do ta nis ndeshjen si titullar apo kush do ta përfundojë, rëndësi ka të bëjmë një ndeshje të madhe”, tha Maran, duke shtuar se lojtarët e kanë kuptuar që me ego personale nuk vazhdohet përpara dhe po punojnë në grup. “Po bëjmë gjëra të mira në këtë sezon. Jam i kënaqur me punën që po bëjmë, por kemi ende shumë për të bërë”, u shpreh trajneri.

Maran e cilësoi Finlandën një skuadër të fortë dhe të organizuar, por theksoi se Kombëtarja është përgatitur mirë dhe është gati për të fituar. Ai kërkoi edhe mbështetjen e tifozëve: “Kushdo që është në fushë, duhet të japë maksimumin dhe të luajë me zemër. Tifozët janë një pjesë e rëndësishme e ekipit dhe ata mund të bëjnë diferencën. Na duhet një atmosferë e ngrohtë në ‘Air Albania’”.

Ndërsa Ismajli u ndal te ndeshja e parë me Finlandën: “Është koha për të folur me fakte në fushë. Jemi një grup i fortë dhe kemi shumë lojtarë cilësorë. Në ndeshjen e parë na mungoi fati, nuk ishim të përqendruar në pjesën e dytë dhe duhet ta mbyllnim ndeshjen me barazim. E dimë se kemi potencialin për të fituar”.

Mbrojtësi shtoi se skuadra ka ndryshuar shumë me trajnerin e ri dhe se grupi ka besim tek ai: “Duhet të kemi besim tek vetja dhe tek ekipi. Ne kemi treguar se mund të bëjmë gjëra të mëdha dhe duhet të vazhdojmë në këtë rrugë. Duam të fitojmë dhe të bëjmë tifozët krenarë”.

Lini një koment