“The Guardian”: Kriza klimatike shton rreziqet për sigurinë e vendeve në mbarë botën
– Kriza klimatike përbën një nga kërcënimet më të mëdha për sigurinë kombëtare të të gjitha vendeve, pasi ngrohja globale po shkakton mungesa ushqimore, dëme në infrastrukturë, tronditje ekonomike, migracion dhe konflikte.
Këtë paralajmërim pritet të japë ministri i Jashtëm britanik, Ed Miliband, gjatë fjalimit të tij në konferencën e OKB-së për klimën COP31, që po zhvillohet në Antalia të Turqisë.
Në një intervistë për gazetën britanike “The Guardian”, përpara fjalimit të tij para liderëve botërorë, Miliband theksoi se siguria kombëtare dhe mbrojtja, duhet të bëhen pjesë qendrore e përpjekjeve për përballimin e ndryshimeve klimatike.
“Siguria kombëtare është fronti i ri i luftës për veprim klimatik. Skenarët që dikur dukeshin si fantashkencë, tashmë janë bërë ngjarje të zakonshme në lajmet e përditshme”, deklaroi ai.
Ai nënvizoi se ndryshimet klimatike po kërcënojnë drejtpërdrejt sigurinë ushqimore, infrastrukturën dhe lëvizjet e popullsisë.
“Duhet ta themi qartë se kriza klimatike është një nga kërcënimet më të mëdha për sigurinë kombëtare me të cilat përballemi”, u shpreh Miliband.
Miliband paralajmëroi se bota duhet të përballet me pasojat e tre dekadave, gjatë të cilave nuk janë bërë përpjekje të mjaftueshme për të ulur emetimet e gazeve serrë.
Sipas tij, pasojat e krizës klimatike do të sjellin vështirësi dhe pasiguri për miliarda njerëz.
“Është një katastrofë për njerëzit dhe planetin dhe duhet të përballemi me pasojat e saj”, pritet të deklarojë ai në konferencën e klimës.
Ministri britanik do të paralajmërojë gjithashtu se tejkalimi i pragut prej 1,5 gradësh Celsius të ngrohjes globale, krahasuar me nivelet paraindustriale, tashmë është i pashmangshëm.
Temperaturat globale e kanë tejkaluar këtë prag për dy vite radhazi dhe nuk pritet të bien ndjeshëm në periudhën e afërt.
Për këtë arsye, Miliband do të kërkojë politika më të forta për të frenuar ngrohjen dhe për të rikthyer temperaturat, në nivele më të sigurta në dekadat e ardhshme.
Goditjet në tregjet e energjisë dhe pasiguria globale
Duke folur për pasojat ekonomike të krizës klimatike, Miliband paralajmëroi se goditjet në tregjet e karburanteve fosile, si rritja e çmimeve të naftës pas luftës me Iranin, po bëhen gjithnjë e më të zakonshme.
“Një epokë e re e pasigurisë globale do të thotë se goditjet në tregun e karburanteve fosile janë tashmë norma. Kjo luhatje e vazhdueshme e çmimeve të karburanteve fosile do të jetë pjesë e realitetit tonë”, deklaroi ai.
Sipas Miliband, varësia e lartë nga karburantet fosile dhe kontrolli mbi pikat strategjike të furnizimit me energji, i bëjnë vendet më të cenueshme ndaj krizave ndërkombëtare.
“Fillimisht Rusia, tani Irani dhe më pas aktorë të tjerë, kanë identifikuar pikat strategjike të furnizimit dhe varësinë sistemike nga karburantet fosile, duke shfrytëzuar cenueshmërinë e vendeve në mbarë botën”, tha ai.
Miliband theksoi se përgjigjja ndaj kësaj situate duhet të jetë shtimi i përpjekjeve për uljen e emetimeve të gazeve serrë dhe forcimi i aftësisë së vendeve, për t’u përballur me pasojat e fenomeneve ekstreme të motit.
Ai do të kërkojë më shumë investime në energjinë e pastër, përdorimin e saj në transport dhe ngrohje, masa urgjente për uljen e emetimeve të metanit, si dhe mbrojtjen dhe zgjerimin e sipërfaqeve pyjore.
“Viti i ardhshëm do të jetë viti i kundërpërgjigjes ndaj krizës klimatike, ndërsa qeveritë, lëvizjet dhe komunitetet në mbarë botën, do të shtojnë përpjekjet për të mbrojtur shtëpinë tonë të përbashkët”, u shpreh ai.
Britania përballet me kritika për politikat energjetike
Ndërkohë, qeveria britanike po përballet me kritika për disa vendime të fundit, në sektorin energjetik, të cilat, sipas organizatave mjedisore, mund ta largojnë vendin nga objektivi për arritjen e emetimeve neto zero deri në vitin 2050.
Qeveria planifikon të lehtësojë detyrimet për prodhuesit e automjeteve, për të rritur numrin e makinave elektrike deri në vitin 2030.
Gjithashtu, ka miratuar zhvillimin e një fushe të re gazi në Detin e Veriut, të njohur si “Jackdaw”, ndërsa po shqyrton dhënien e licensës për një tjetër fushë nafte, “Rosebank”, në perëndim të ishujve Shetland.
Konferenca COP31, e cila po zhvillohet në Antalia të Turqisë, mbledh përfaqësues të qeverive dhe liderë botërorë, për të diskutuar masat kundër ndryshimeve klimatike dhe pasojat e tyre ekonomike, sociale dhe të sigurisë. /