E mërkurë, 11 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›UASHINGTON – Trump: Përplasja me Iranin nuk nisi sot, armiqësia ndaj SHBA-së daton që prej vitit 1979

UASHINGTON – Trump: Përplasja me Iranin nuk nisi sot, armiqësia ndaj SHBA-së daton që prej vitit 1979

UASHINGTON, 11 nëntor /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi sot se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë fituar luftën me Iranin, por theksoi se Uashingtoni kërkon një fitore të plotë dhe jo një rezultat të pjesshëm.

Gjatë një ceremonie për Ditën e Veteranëve, të mbajtur sot në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit, Trump mbrojti ndërhyrjen ushtarake amerikane kundër Iranit dhe përsëriti se konflikti pritet të përfundojë së shpejti.

“Amerika nuk e nisi luftën me Iranin. Irani ka qenë në luftë me Amerikën që prej vitit 1979. Kjo çështje duhej të ishte zgjidhur shumë kohë më parë”, deklaroi Trump.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës thjesht, janë kundërpërgjigjur ndaj asaj që e cilësoi si armiqësi të vazhdueshme të Iranit.

“Ne u kundërpërgjigjëm dhe e bëmë këtë me vendosmëri. Ne e kemi fituar luftën. Tani mbetet vetëm të vendosim se kur do t’i japim fund. Duam të sigurohemi që të kemi një fitore të plotë, jo një fitore 93%”, u shpreh presidenti amerikan.

Trump nuk dha shpjegime se çfarë përfaqëson shifra 93%, por e përdori atë për të nënvizuar se administrata e tij, nuk do ta konsiderojë të përfunduar konfliktin pa arritur objektivat e saj të plota.

Gjatë fjalimit, presidenti amerikan përmendi edhe humbjet e ushtrisë amerikane, duke bërë të ditur se 18 ushtarakë amerikanë kanë humbur jetën gjatë konfliktit.

“Ne humbëm 18 njerëz të mrekullueshëm, por kur ky konflikt të përfundojë, dhe kjo do të ndodhë së shpejti, e gjithë bota do të jetë një vend shumë më i sigurt dhe më paqësor”, deklaroi ai.

Trump përmendi gjithashtu sulmet amerikane ndaj kapaciteteve ushtarake dhe bërthamore të Iranit, duke pretenduar se ato kanë penguar Teheranin të sigurojë armë bërthamore.

Ai tha se Iranit do t’i nevojiteshin rreth 25 vjet për të rindërtuar atë që, sipas tij, është shkatërruar nga forcat amerikane.

“Do t’u duhen 25 vjet për të rindërtuar atë që kemi shkatërruar dhe shpresoj që të mos na duhet të shkatërrojmë më shumë në atë vend”, u shpreh presidenti amerikan.

Trump tha se operacionet kundër Iranit kishin nisur shtatë muaj më parë, por se luftimet intensive kishin zgjatur vetëm disa javë.

Ai falënderoi gjithashtu ushtarakët amerikanë për angazhimin e tyre, duke theksuar se ata kishin vepruar për të penguar Iranin të siguronte armë bërthamore.

Gjatë ceremonisë, presidenti amerikan përmendi edhe Dale Garner, një veteran i marinsave amerikanë, që i mbijetoi sulmit me bombë ndaj kazermave të marinsave në Bejrut në vitin 1983, ku humbën jetën 241 ushtarakë amerikanë.

Sulmi i vitit 1983 iu atribuua Hezbollahut, grup i mbështetur nga Irani. Trump e përdori këtë ngjarje për të rikujtuar historinë e përplasjeve mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit.

Fjalimi në Arlington vjen në një kohë kur administrata amerikane, vazhdon të mbrojë vendimin për ndërhyrjen ushtarake, ndërsa Trump ka përsëritur se lufta mund të përfundojë së shpejti.

Me deklaratat e tij, presidenti amerikan ritheksoi qëndrimin se, përplasja me Iranin nuk është një konflikt i nisur së fundmi, por pjesë e një armiqësie që, sipas tij, daton që prej Revolucionit Islamik të vitit 1979. /

Lini një koment