E enjte, 12 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Pa marrëveshje për amendamentimin e Ligjit për Specialen, ligji shkon për rivotim në Kuvend në formën siç është

Pa marrëveshje për amendamentimin e Ligjit për Specialen, ligji shkon për rivotim në Kuvend në formën siç është

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit shqyrtoi të enjten vendimin e Presidentes Justina Shiroka-Pula për kthimin në rishqyrtim të Ligjit nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, deklaroi se PDK-ja, si parti sponsorizuese e ligjit, gjatë ditëve të fundit ka zhvilluar negociata me përfaqësuesit e shumicës parlamentare, ku është arritur pajtim për procedimin e ligjit, por jo edhe për ndryshimin e tij. “Ne kemi besu që është e mundur të bëhet amendamentimi, kurse shumica ka interpretu Rregulloren që nuk lejohet të bëhet amendamentimi”, tha ajo, siç raporton Betimi për Drejtësi.

Për shkak të mungesës së dakordimit për amendamentimin, ligji do të procedohet në Kuvend në përmbajtjen e tij aktuale, për t’u rivotuar nga deputetët, ndërsa diskutimet për ndryshimin e tij mund të vazhdojnë në seancë plenare. “Ligjin do ta dërgojmë në Kuvend në formën siç është. Do të rivotohet në Kuvend ky ligj siç është, mandej shohim për amendamentim”, deklaroi Deliu-Kodra.

Deputeti Besnik Tahiri kritikoi vonesat në shqyrtimin e ligjit dhe kërkoi që amendamentimi, nëse synohet nga institucionet, të bëhet sa më shpejt. Ai tha se do ta mbështesin pozicionin e sponsorizuesit edhe në Komision edhe në seancë.

Ligji ishte miratuar nga Kuvendi më 6 tetor 2026 me 88 vota për, pa vota kundër dhe pa abstenime. Presidentja e ktheu për rishqyrtim më 22 tetor 2026, pas një kërkese të PDK-së.

Lini një koment