E enjte, 12 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Kosova›Gjenden mbetje mortore në Brod të Shtërpcës, pritet identifikimi përmes ADN-së

Gjenden mbetje mortore në Brod të Shtërpcës, pritet identifikimi përmes ADN-së

Mbetje mortore janë gjetur të enjten në një lokacion të dyshuar në fshatin Brod të Komunës së Shtërpcës, gjatë aktiviteteve të kërkimit për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë.

Lajmi është bërë i ditur nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, i cili njoftoi se kërkimet në këtë lokacion kishin nisur më 6 nëntor 2026, pas sigurimit të urdhrit përkatës gjyqësor.

Gjatë aktivitetit të parë nuk ishte arritur të lokalizohej varri i dyshuar, për shkak të ndryshimeve që kishte pësuar terreni ndër vite. Megjithatë, pas vazhdimit të kërkimeve më 12 nëntor, janë gjetur mbetje mortore.

Sipas Komisionit, ato do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme mjekoligjore dhe procedurave të identifikimit përmes analizës së ADN-së.

Aktivitetet janë realizuar në koordinim mes Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Institutit për Mjekësi Ligjore dhe Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës – Sektorit për Hetimin e Personave të Zhdukur, me përkrahjen e Prokurorisë, përkatësisht Departamentit për Krime Lufte.

Komisioni bëri të ditur se trajtimi i këtij lokacioni është rezultat edhe i bashkëpunimit rajonal, përfshirë komunikimet me Drejtorinë e Republikës së Kroacisë për Personat e Zhdukur gjatë Luftës Atdhetare.

Po ashtu, në këtë proces kanë kontribuar familjet e personave të zhdukur, Këshilli Koordinues i Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës dhe qytetarët që kanë ofruar informacione të rëndësishme për lokacionin.

Komisioni Qeveritar ritheksoi përkushtimin për vazhdimin e kërkimeve deri në ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së të gjithë personave të zhdukur me dhunë./Telegrafi/

Lini një koment