E enjte, 12 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›“Scientific Reports”: Çamçakëzi eksperimental kundër kancerit redukton praninë e virusit HPV deri në 93%

“Scientific Reports”: Çamçakëzi eksperimental kundër kancerit redukton praninë e virusit HPV deri në 93%

– Një çamçakëz i prodhuar nga fasulet lablab ka treguar rezultate premtuese në luftën kundër virusit HPV, duke arritur të reduktojë praninë e tij me 93% në mostrat e pështymës së pacientëve, sipas “Scientific Reports”.

Virusi HPV lidhet me disa lloje të kancerit të kokës dhe qafës. Sipas studiuesve, çamçakëzi vepron duke kapur grimcat e virusit dhe duke i mbajtur të bllokuara, në një mënyrë të ngjashme me letrën ngjitëse që përdoret për kapjen e mizave.

Studimi është kryer nga studiues të Universitetit të Pensilvanisë, në bashkëpunim me kolegë nga Universiteti i Kansasit dhe Universiteti i Kalifornisë në Los Anxhelos (UCLA).

Çamçakëzi përmban një proteinë të quajtur FRIL, e cila lidhet me sipërfaqen e grimcave të virusit dhe i bllokon ato, duke penguar përhapjen e tyre. Testet laboratorike treguan gjithashtu një reduktim prej 80% të HPV-së në mostrat e shpëlarjes së gojës.

Studiuesit testuan edhe një variant të çamçakëzit të pasuruar me protegrinë, një proteinë që synon dy baktere të lidhura me sëmundjet e gojës, Porphyromonas gingivalis dhe Fusobacterium nucleatum, duke arritur t’i reduktojnë ndjeshëm ato.

Studimi, i publikuar në revistën shkencore “Scientific Reports” më 9 shkurt 2026, është kryer në mostra biologjike jashtë organizmit të njeriut. Për këtë arsye, rezultatet nuk provojnë ende efektivitetin e çamçakëzit te njerëzit.

Studiuesit theksojnë se nevojiten prova klinike për të vlerësuar sigurinë, dozën dhe efektet e tij përpara se të mund të përdoret si një metodë parandaluese apo ndihmëse në trajtim.

Rezultati prej 93% i referohet reduktimit të HPV-së në laborator dhe nuk do të thotë se çamçakëzi eliminon virusin nga organizmi apo shëron infeksionin. /

Lini një koment