E enjte, 12 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›MOSKË – Putini refuzon kompromiset territoriale dhe kundërshton trupat paqeruajtëse në Ukrainë

MOSKË – Putini refuzon kompromiset territoriale dhe kundërshton trupat paqeruajtëse në Ukrainë

MOSKË, 12 nëntor /ATSH-AFP/ – Presidenti rus, Vladimir Putin ka përjashtuar mundësinë e tërheqjes nga kërkesat territoriale të Moskës në Ukrainë dhe ka kundërshtuar vendosjen e trupave të huaja paqeruajtëse në vend, gjatë një takimi me të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, në Kremlin.

Putini deklaroi se Rusia nuk do të bëjë lëshime për kontrollin e territoreve ukrainase, që Moska pretendon se ka aneksuar, duke e cilësuar praninë e forcave të huaja në Ukrainë si një vazhdim të konfliktit.

Takimi u zhvillua sot, në kuadër të përpjekjeve të administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, për të rifilluar negociatat dhe për të gjetur një rrugë drejt përfundimit të luftës.

Të dërguarit amerikanë mbërritën në Moskë, pas dy ditësh bisedimesh mes delegacioneve ruse dhe ukrainase në Abu Dabi, të cilat përfunduan me një marrëveshje në parim, për një shkëmbim të rëndësishëm të të burgosurve të luftës, por pa përparim konkret për çështjen e territoreve.

Gjatë takimit në Kremlin, Putini hodhi poshtë idenë e krijimit të zonave të çmilitarizuara mes pozicioneve ruse dhe ukrainase.

“Për ne ekziston vetëm një vijë demarkacioni: kufiri shtetëror. Kështu do të jetë e qartë se ku jemi ne dhe ku jeni ju”, deklaroi presidenti rus.

Moska kërkon që Ukraina të tërhiqet nga pjesët e rajonit të Donbasit që ende kontrollon Kievi.

Rusia pretendon se ka aneksuar katër rajone ukrainase, Donetskun, Luhanskun, Khersonin dhe Zaporizhian, ndonëse nuk ushtron kontroll të plotë mbi të gjitha territoret e tyre.

Aneksimet nuk njihen nga Ukraina dhe shumica dërrmuese e komunitetit ndërkombëtar.

Trupat e huaja, objektiva legjitime

Putini përsëriti kundërshtimin e tij ndaj vendosjes së trupave të huaja në Ukrainë, si pjesë e një force paqeruajtëse pas një armëpushimi.

Ai paralajmëroi se çdo forcë e huaj e vendosur në territorin ukrainas, do të konsiderohej nga Rusia si objektiv legjitim.

Sipas tij, një prani e tillë do të përbënte kërcënim për sigurinë kombëtare ruse dhe do të krijonte kushtet për rifillimin e luftimeve.

Vendosja e trupave ndërkombëtare, është një nga kërkesat që Kievi e konsideron të rëndësishme, për të garantuar se Rusia nuk do të ndërmarrë një tjetër sulm pas përfundimit të luftës.

Ndërkohë, gjatë takimit, Putini propozoi një mision të përbashkët humanitar ruso-ukrainas në qytetin e Kostjantinivkës, në lindje të Ukrainës, ku sipas tij ndodhen ende rreth 400 deri në 500 civilë. /

Ai tha se nisma mund të bazohet në një marrëveshje të mëparshme që mundësoi evakuimin e banorëve nga qyteti i pushtuar i Oleshky-t, në jug të Ukrainës.

Sipas Putinit, do të nevojiteshin rreth pesë ditë për pastrimin e zonës nga minat dhe për krijimin e kushteve për realizimin e misionit.

SHBA-ja kërkon përfshirjen e Evropës në negociata

Gjatë bisedimeve në Moskë, i dërguari amerikan Jared Kushner kërkoi që vendet evropiane të përfshihen në procesin e negociatave për përfundimin e luftës.

Uashingtoni dhe Kievi kanë kërkuar që Evropa të përfaqësohet nga një person i vetëm në tryezën e ardhshme të bisedimeve.

Megjithatë, Moska ka kundërshtuar përfshirjen e drejtpërdrejtë të vendeve evropiane, duke i akuzuar ato për financimin dhe mbështetjen ushtarake të Ukrainës.

Rusia kërkon që negociatat të përfshijnë edhe një rishikim më të gjerë të arkitekturës së sigurisë në Evropë, duke përsëritur kundërshtimin ndaj zgjerimit të NATO-s drejt lindjes dhe pranisë ushtarake të aleancës pranë kufijve rusë.

Kjo qasje ka shkaktuar shqetësim në kryeqytetet evropiane, të cilat paralajmërojnë se një marrëveshje nuk duhet të përcaktojë të ardhmen e sigurisë së kontinentit pa pjesëmarrjen e vendeve të prekura.

Pas takimit në Moskë, Witkoff dhe Kushner pritet të udhëtojnë drejt Dublinit, ku do të takohen me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili merr pjesë në një takim të liderëve evropianë.

Zelensky ka deklaruar se ekziston një mundësi politike për të arritur përparim në negociata përpara fundit të vitit, por ka përsëritur se Ukraina nuk do të heqë dorë nga territoret e saj.

Presidenti ukrainas ka kërkuar gjithashtu garanci të forta sigurie për vendin pas përfundimit të luftimeve.

Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka vlerësuar zhvillimet pozitive në bisedimet e Abu Dhabit, por ka theksuar se mbetet e paqartë nëse Rusia është realisht e gatshme të angazhohet në negociata për përfundimin e luftës.

Pavarësisht kontakteve diplomatike, sulmet dhe luftimet mes dy vendeve vijojnë, ndërsa çështjet territoriale dhe garancitë e sigurisë, mbeten pengesat kryesore për arritjen e një marrëveshjeje. /

Lini një koment