E enjte, 12 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›SHBA – Marrëveshja Trump-Putin për naftën ruse në pikëpyetje, anijet cisternë ndryshojnë destinacion

SHBA – Marrëveshja Trump-Putin për naftën ruse në pikëpyetje, anijet cisternë ndryshojnë destinacion

– Marrëveshja mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe homologut rus, Vladimir Putin për furnizimin e tregut amerikan me naftë ruse, po përballet me pengesa, pasi dy nga tri anijet cisternë, që transportonin karburantin kanë ndryshuar itinerarin dhe nuk po drejtohen më drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas raportimeve të “Financial Times”, ndryshimi i itinerarit lidhet me shqetësimet e blerësve amerikanë, për pasojat ligjore dhe rreziqet që mund të sjellin sanksionet ndaj Rusisë.

Anija “Leruo”, me flamurin e Sierra Leones dhe në pronësi të një kompanie nga Hong Kongu, ndryshoi destinacionin më 2 nëntor, duke sinjalizuar se po drejtohej drejt Brazilit.

Ndërkohë, anija “Talisman”, me flamurin rus, braktisi itinerarin drejt Atlantikut dhe hyri në Detin Mesdhe.

Ajo ndodhet pranë brigjeve të Algjerisë dhe ka ndryshuar destinacionin në statusin “në pritje të udhëzimeve”, çka nënkupton se nuk ka ende një port të konfirmuar për shkarkimin e ngarkesës.

Të dyja anijet janë subjekt i sanksioneve perëndimore.

Anija e tretë, “Agioi Fanendes”, me flamurin maltez dhe në pronësi të kompanisë greke “Eastern Mediterranean Maritime”, transporton rreth 40 mijë tonë naftë ruse.

Ajo ishte nisur drejt Nju-Jorkut, por edhe kjo anije ka ndryshuar sinjalizimin e destinacionit, duke mos pasur ende një port përfundimtar të konfirmuar.

Analisti i kompanisë së inteligjencës së transportit detar “Kpler”, Matt Smith, vlerësoi se dy nga tri ngarkesat me naftë ruse, të destinuara për SHBA-në, kanë ndryshuar tashmë drejtim.

Ai paralajmëroi se edhe anija e tretë mund të ndryshojë itinerarin, për shkak të kujdesit të blerësve amerikanë ndaj rreziqeve ligjore, rregullatore dhe sanksioneve.

Përplasjet politike dhe rreziku i sanksioneve

Marrëveshja për furnizimin me naftë ruse, u arrit pas një bisede telefonike mes Trump dhe Putinit më 9 tetor.

Presidenti amerikan synonte të rriste furnizimin me karburant dhe të ulte çmimet në tregun amerikan, përpara zgjedhjeve të mesmandatit, të zhvilluara më 3 nëntor.

Sipas planit të njoftuar nga Trump, Rusia do të eksportonte fillimisht 300 mijë tonë naftë dizel drejt tregjeve amerikane dhe ndërkombëtare, të ndjekura nga 500 mijë tonë të tjera në nëntor dhe një milion tonë në vijim.

Për të mundësuar këtë marrëveshje, administrata amerikane lehtësoi përkohësisht, disa kufizime ndaj eksporteve ruse të karburantit.

Megjithatë, nisma u kundërshtua nga një pjesë e politikanëve amerikanë, të cilët argumentojnë se importimi i naftës ruse, bie ndesh me ligjin e miratuar në vitin 2022, pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

Guvernatorja demokrate e Nju Xhersit, Mikie Sherrill, paralajmëroi autoritetet portuale dhe operatorët e terminaleve që të mos pranojnë ngarkesa me karburant rus, duke vënë në dukje se ata mund të përballen me pasoja ligjore dhe gjoba të rënda.

Gjithashtu, senatorë demokratë u kanë kërkuar bankave, autoriteteve portuale dhe kompanive, të përfshira në marrëveshje të ruajnë dokumentacionin përkatës, në kuadër të shqyrtimit të mundshëm të transaksioneve pas marrjes së kontrollit të Kongresit nga demokratët në janar.

Fitorja e demokratëve në zgjedhjet e mesmandatit, ka shtuar pasigurinë për zbatimin e marrëveshjes, pasi ata pritet të kenë mundësi më të mëdha, për të ushtruar mbikëqyrje parlamentare mbi politikën e administratës Trump ndaj Rusisë.

Ndërkohë, Moska ka kundërshtuar raportimet për braktisjen e itinerareve drejt SHBA-së.

I dërguari i posaçëm i Putinit për marrëdhëniet me Uashingtonin, Kirill Dmitriev, i cilësoi raportimet si të pavërteta, ndërsa zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se ngarkesat tregtare do të gjejnë blerësit e tyre.

Marrëveshja nuk ka sjellë ende uljen e çmimeve

Pavarësisht pritshmërive të Trump, marrëveshja nuk ka sjellë ende uljen e çmimeve të karburantit në SHBA.

Sipas të dhënave të Administratës Amerikane të Informacionit për Energjinë, çmimi mesatar i naftës dizel në pikat e karburanteve amerikane ishte rreth 6,29 dollarë për galon në fillim të nëntorit, krahasuar me rreth 6,20 dollarë në fillim të tetorit.

Ekspertët vlerësojnë se sasitë e parashikuara në fazën e parë të marrëveshjes, janë të kufizuara në raport me konsumin amerikan dhe nuk pritet të kenë ndikim të ndjeshëm në çmimet e karburantit.

Ndërkohë, Rusia mund të vazhdojë të shesë naftën dizel në tregje të tjera, përfshirë Brazilin dhe Turqinë, edhe nëse ngarkesat nuk arrijnë në portet amerikane.

Ndryshimi i itinerarit të anijeve, ka vënë në pikëpyetje zbatimin e marrëveshjes Trump-Putin, e cila synonte të lehtësonte furnizimin me karburant në SHBA dhe në tregjet ndërkombëtare. /

Lini një koment