Ministri Hoxha nga Budapesti: Diplomacia ekonomike, motor i zhvillimit të Shqipërisë dhe integrimit në BE
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mbajti një bashkëbisedim në Universitetin Ludovika të Shërbimit Publik në Budapest, ku prezantoi vizionin e Shqipërisë për forcimin e diplomacisë ekonomike dhe rolin e saj në zhvillimin e vendit dhe procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Në fjalën e tij, Ministri Hoxha theksoi nevojën që rrjeti diplomatik shqiptar të orientohet gjithnjë e më shumë drejt krijimit të mundësive konkrete ekonomike, përmes promovimit të eksporteve, hapjes së tregjeve të reja për bizneset shqiptare, tërheqjes së investimeve cilësore dhe forcimit të lidhjeve me teknologjinë, dijen dhe partnerët ndërkombëtarë.
“Diplomacia jonë nuk duhet vetëm të përfaqësojë vendin, por edhe të krijojë mundësi për të”, u shpreh Ministri Hoxha, duke nënvizuar rëndësinë e shndërrimit të marrëdhënieve politike në partneritete ekonomike dhe rezultate të prekshme për qytetarët dhe bizneset shqiptare.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua lidhjes së drejtpërdrejtë mes diplomacisë ekonomike dhe integrimit evropian.
Sipas Ministrit Hoxha, anëtarësimi në BE nuk përfaqëson vetëm një ambicie gjeopolitike, por edhe një proces të thellë transformimi ekonomik dhe institucional, që synon përgatitjen e Shqipërisë për të konkuruar me sukses në Tregun Unik Evropian.
Më tej ministri Hoxha theksoi se efektiviteti i diplomacisë duhet të vlerësohet edhe përmes kontributit të saj konkret në zhvillimin e vendit.
“Diplomacia nuk matet vetëm me marrëveshjet që nënshkruajmë, por edhe me mundësitë që krijojmë”, përfundoi ai.
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.