Friday, 3 April 2026
54°F Detroit
BallinaOpinionShqiptarët në Detroit- një histori suksesi, pune dhe dinjiteti!

Shqiptarët në Detroit- një histori suksesi, pune dhe dinjiteti!

Ata jane një forcë pozitive dhe një pasuri e vërtetë për shtetin e Michiganit. Me rrënjë shqiptare dhe me kontribut amerikan, ata përfaqësojnë denjësisht më të mirën e dy botëve.

Nga NEVRUS NAZARKO

Komuniteti shqiptar në Detroit dhe në gjithë shtetin e Michiganit përfaqëson sot një nga historitë më të bukura të suksesit të emigracionit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me shumë sakrifica, punë të ndershme dhe përkushtim të palëkundur ndaj familjes dhe arsimit, shqiptarët e këtij komuniteti kanë arritur të ndërtojnë jo vetëm jetë të qëndrueshme për veten e tyre, por edhe të japin një kontribut të vyer në jetën ekonomike, shoqërore dhe qytetare të Michiganit.

Në një kohë kur shpesh zëri publik mbushet me lajme të zymta, me përçarje, me ankesë dhe me zhgënjim, ka vlerë të ndalemi te historitë që meritojnë respekt. Një ndër to është pa dyshim historia e komunitetit shqiptar në Detroit dhe në gjithë Michiganin, nje histori q e ka zanafillen e saj qysh ne ne fillim te 1900’s. Historia e tyre eshte ndertuar jo me fjalë të mëdha, por me punë të madhe e me rezultate.
Shqiptarët që erdhën dhe ndërtuan jetën e tyre në Michigan nuk e paten aspak te lehte apo rrugën të shtruar. Ata erdhën me mund, me sakrifica jo rralle me koken mbrapa për vendlindjen dhe me një dëshirë të fortë për t’u dhënë fëmijëve të tyre një jetë më të mirë. Dhe ia dolën sepse punuan fort, sakrifikuan shumë dhe nuk u dorëzuan. Kjo është e vërteta e tyre dh kjo e vërtetë meriton të thuhet.

Sot, komuniteti shqiptar në Detroit dhe Michigan është një prani e respektuar. Në biznes, në profesionet e lira, në arsim, në mjekësi, në financë, në ndërtim, në jetën qytetare, dhe se fundmi eshe ne ate politike, shqiptarët kanë lënë gjurmë të qarta. Ata kanë krijuar familje të forta, kanë rritur fëmijë të arsimuar, kanë hapur dyer për të tjerët dhe kanë ndërtuar një emër të mirë që nuk u dha askush dhuratë por e kane fituar me mund, djerse e sakrifice.

Ka diçka të veçantë te shqiptari në emigracion, ai mund të largohet nga vendi, por nuk largohet nga vlerat me të cilat është rritur. Edhe në Michigan, shqiptari ka sjellë me vete ndjenjën e familjes, respektin për punën, mikpritjen, krenarinë për origjinën dhe dëshirën për të ecur përpara pa harruar kush është. Kjo është arsyeja pse ky komunitet nuk është tretur, përkundrazi është forcuar.

Detroit, një qytet me histori të thellë pune dhe ringritjeje, e ka kuptuar mirë karakterin e emigrantit që nuk dorëzohet. Dhe shqiptarët janë bërë pjesë e kësaj fryme. Ata nuk kanë qenë spektatorë në jetën e këtij shteti por kanë qenë kontribuues te spikatur. Kanë ndihmuar ekonominë, kanë forcuar komunitetet lokale dhe kanë treguar se integrimi i vërtetë nuk do të thotë të humbasësh identitetin, por ta kthesh atë në vlerë.

Një meritë e veçantë u takon edhe brezave të rinj të shqiptarëve në Michigan. Ata janë sot dëshmia më e fortë e sakrificës së prindërve të tyre. Të arsimuar, ambiciozë, të zotë dhe krenarë për prejardhjen e tyre, ata po dëshmojnë se suksesi i shqiptarëve këtu nuk ishte rastësi, por themel i fortë për një të ardhme edhe më të mirë.

Ky komunitet meriton vlerësim jo vetëm për atë që ka arritur për vete, por edhe për shembullin që jep. Në një botë ku shpesh promovohen pamja dhe propaganda, shqiptarët e Michiganit kanë zgjedhur rrugën më të vështirë, por edhe më të ndershme: rrugën e punës, të dinjitetit dhe të meritës., dhe kjo eshte nje arsye me teper për te qene krenare.

Është koha që për shqiptarët në Detroit dhe Michigan të flitet jo vetëm si për një komunitet emigrantësh, por si për një histori të vërtetë suksesi shqiptar në Amerikë. Sepse ata e kanë dëshmuar se kur shqiptarit i jepet mundësia, ai nuk kërkon mëshirë; ai ndërton, kontribuon dhe nderon veten, familjen dhe emrin e kombit të tij. Ata jane një forcë pozitive dhe një pasuri e vërtetë për shtetin e Michiganit. Me rrënjë shqiptare dhe me kontribut amerikan, ata përfaqësojnë denjësisht më të mirën e dy botëve.

Lini një koment