Michigani voton më 3 nëntor: Zgjedhje që shkojnë përtej kufijve të një shteti
Një guvernator i ri, një betejë vendimtare për Senatin amerikan dhe përgjegjësia qytetare e shqiptaro-amerikanëve.

Më 3 nëntor, qytetarët e Michiganit do të votojnë për të zgjedhur guvernatorin e ri, një senator në Kongresin amerikan, përfaqësuesit e tyre në Dhomën e Përfaqësuesve dhe drejtuesit e një sërë institucionesh shtetërore. Janë zgjedhje të rëndësishme jo vetëm për të ardhmen e Michiganit, por edhe për ekuilibrat politikë në Uashington. Në një Amerikë të ndarë thellë politikisht, vota e qytetarëve të këtij shteti mund të ndikojë drejtpërdrejt në marrëdhëniet ndërmjet Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit.
Për ne, shqiptaro-amerikanët që jetojmë në Michigan, këto zgjedhje kanë një kuptim të veçantë. Shumë prej nesh kemi ardhur nga një vend ku zgjedhjet, për një kohë të gjatë, nuk kanë qenë konkurrim i lirë politik. Këtu kemi gjetur mundësinë të zgjedhim përfaqësuesit tanë, të kërkojmë llogari prej tyre dhe t’i ndryshojmë përmes votës. Tashmë nuk jemi thjesht emigrantë që ndjekin nga larg politikën amerikane. Jemi qytetarë që punojmë, paguajmë taksa, rrisim fëmijët dhe ndërtojmë të ardhmen tonë në këtë shtet.
Kush do ta drejtojë Michiganin?
Pas tetë vjetësh në detyrë, guvernatorja demokrate Gretchen Whitmer përfundon mandatin e saj të dytë dhe nuk mund të kandidojë përsëri. Për postin e guvernatorit përballen demokratja Jocelyn Benson, aktualisht sekretare e shtetit, dhe republikani John James, anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan. Në fletën e votimit janë edhe kandidatë të partive të tjera.
Benson vjen në këtë garë me përvojën e drejtimit të administrimit zgjedhor të Michiganit. James, një veteran i ushtrisë amerikane dhe biznesmen përpara hyrjes në politikë, përfaqëson një alternativë republikane ndaj drejtimit demokrat të shtetit. Të dy kanë paraqitur vizione të ndryshme për ekonominë, administratën, arsimin dhe rolin e qeverisë.
Por për familjen e zakonshme të Michiganit, debati nuk kufizohet te përkatësia partiake. Ajo kërkon të dijë nëse do të ketë vende pune të qëndrueshme, nëse mund të përballojë kostot e banesës dhe të sigurimit shëndetësor, nëse shkollat publike do të përmirësohen dhe nëse taksat që paguan do të kthehen në shërbime më të mira.
Këto janë çështje që prekin drejtpërdrejt edhe komunitetin shqiptar. Shqiptarët në Michigan janë të pranishëm në biznese, ndërtim, shëndetësi, arsim, tregti dhe shumë profesione të tjera. Një vendim për taksat, investimet apo arsimin publik ndikon në jetën e tyre po aq sa në atë të çdo qytetari tjetër amerikan. Prandaj zgjedhja e guvernatorit nuk duhet parë thjesht si një konkurrim midis demokratëve dhe republikanëve, por si një vendim për mënyrën se si do të qeveriset shteti ku jetojmë.
Rogers kundër El-Sayed: Beteja që po ndjek e gjithë Amerika
Nëse zgjedhja e guvernatorit përcakton drejtimin e Michiganit për katër vitet e ardhshme, gara për Senatin amerikan ka një rëndësi edhe më të gjerë. Republikani Mike Rogers dhe demokrati Abdul El-Sayed konkurrojnë për vendin që lihet bosh nga senatori demokrat Gary Peters, i cili po tërhiqet nga Senati.
Rogers është një politikan me përvojë të gjatë në Kongres, ish-agjent i FBI-së dhe ish-kryetar i Komisionit të Inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve. El-Sayed, përfaqësues i krahut progresist demokrat, ka drejtuar institucionet e shëndetit publik në Detroit dhe Wayne County. Ai ka vendosur në qendër të fushatës së tij kostot e jetesës dhe reformën e kujdesit shëndetësor. Rogers thekson sigurinë kombëtare, ekonominë, prodhimin amerikan dhe politikat tregtare.
Kjo garë zhvillohet në një moment kur republikanët kontrollojnë Senatin amerikan me 53 vende kundrejt 47 të demokratëve dhe senatorëve të pavarur që bashkëpunojnë me ta. Për këtë arsye, rezultati në Michigan është pjesë e betejës kombëtare për kontrollin e Kongresit gjatë dy viteve të fundit të mandatit aktual presidencial të Donald Trumpit.
Përballja Rogers–El Sayed ka nxjerrë në pah edhe ndarjet e forta politike dhe kulturore të Amerikës së sotme. Në javët e fundit, identiteti fetar i El-Sayed është bërë pjesë e sulmeve politike. Në tubimin e 25 tetorit në Michigan, presidenti Trump e lidhi kandidatin demokrat me ekstremizmin islamik, pa paraqitur prova për akuzat e tij. El-Sayed i hodhi poshtë këto pretendime, ndërsa Rogers deklaroi se nuk e kishte quajtur kundërshtarin e tij terrorist.
Ky episod ngre një çështje që shkon përtej dy kandidatëve. Amerika është ndërtuar mbi parimin se qytetaria dhe e drejta për të marrë pjesë në jetën politike nuk përcaktohen nga feja apo origjina kombëtare. Për komunitetet e ardhura nga emigracioni, përfshirë shqiptarët, respektimi i këtij parimi ka rëndësi të drejtpërdrejtë. Programet politike mund dhe duhet të debatohen ashpër, por përkatësia fetare nuk është provë e qëndrimeve apo e besnikërisë së një kandidati ndaj vendit të tij.
Shqiptaro-amerikanët dhe politika amerikane
Komuniteti shqiptar në Michigan ka një histori të gjatë integrimi. Nga familjet e para që mbërritën këtu dekada më parë deri te brezat e lindur në Amerikë, shqiptarët kanë ndërtuar biznese, institucione fetare e kulturore dhe organizata komunitare. Ata janë pjesë e jetës ekonomike dhe shoqërore të Detroitit dhe qyteteve përreth.
Megjithatë, integrimi ekonomik dhe shoqëror nuk nënkupton automatikisht pjesëmarrje të organizuar në jetën politike. Komuniteti shqiptar shpesh është më i dukshëm në aktivitetet kulturore, fetare dhe kombëtare sesa në debatet për politikat publike të Michiganit. Kjo nuk do të thotë se shqiptarët nuk interesohen për politikën amerikane, por se ekziston ende hapësirë për pjesëmarrje më të madhe.
Ka shqiptarë që votojnë republikanët dhe të tjerë që mbështesin demokratët. Ka nga ata që i japin përparësi politikës së jashtme amerikane ndaj Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa të tjerë shqetësohen më shumë për taksat, biznesin, arsimin apo sigurimet shëndetësore. Këto dallime janë krejtësisht normale në një shoqëri demokratike.
Për një shqiptaro-amerikan, marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë dhe Kosovën kanë rëndësi të veçantë. Por është po aq e rëndësishme të kuptojmë se politika amerikane nuk mund të gjykohet vetëm nga qëndrimi i një kandidati ndaj çështjeve shqiptare. Një senator amerikan do të marrë vendime për buxhetin federal, ekonominë, politikën e jashtme, emigracionin dhe shëndetësinë. Një guvernator do të ndikojë në shkollat, rrugët, bizneset dhe shërbimet e Michiganit.
Pjesëmarrja politike e shqiptaro-amerikanëve nuk ka pse të shprehet në mbështetjen kolektive të një partie apo kandidati. Përkundrazi, forcimi i rolit të komunitetit mund të vijë nga prania e tij në të dyja partitë, në administratën publike, në këshillat vendorë dhe në diskutimet për çështjet që prekin qytetarët. Interesat e një komuniteti përfaqësohen më mirë kur zëri i tij dëgjohet në mënyrë të vazhdueshme, jo vetëm gjatë fushatave zgjedhore.
Më 3 nëntor nuk votohet vetëm për katër emra
Zgjedhjet e 3 nëntorit janë një rast për të parë më qartë se si funksionon demokracia amerikane. Kandidatët për guvernator, senator dhe përfaqësues në Kongres mund të kenë programe të ndryshme, të debatojnë ashpër dhe të kundërshtojnë njëri-tjetrin, por vendimi përfundimtar u përket qytetarëve. Fituesit marrin pushtetin për një kohë të kufizuar dhe mbeten përgjegjës përpara votuesve.
Për ata prej nesh që kemi jetuar edhe në Shqipëri, kjo përgjegjësi ka një domethënie të veçantë. E dimë çfarë ndodh kur pushteti e konsideron veten të pazëvendësueshëm, kur institucionet identifikohen me partinë dhe kur kundërshtari politik trajtohet si armik. Përvoja shqiptare na ndihmon ta kuptojmë vlerën e institucioneve demokratike, por nuk duhet të na pengojë t’i shohim me sy kritik edhe problemet e politikës amerikane.
Më 3 nëntor, Michigan do të zgjedhë guvernatorin e ri dhe senatorin që do ta përfaqësojë në Uashington. Rezultati do të ketë pasoja për ekonominë e shtetit, drejtimin e institucioneve dhe ekuilibrat politikë kombëtarë. Për komunitetin shqiptaro-amerikan, këto zgjedhje janë edhe një mundësi për të menduar mbi vendin që zë në jetën publike të shtetit ku jeton.
Ne vazhdojmë të kemi lidhje të forta me Shqipërinë dhe Kosovën. Ndjekim zhvillimet politike në Tiranë dhe Prishtinë, gëzohemi për sukseset dhe shqetësohemi për problemet e tyre. Por në Michigan jetojmë, këtu punojmë, këtu paguajmë taksa dhe këtu po rriten fëmijët e nipërit tanë.
Shqipëria është pjesë e historisë sonë. Michigani është pjesë e së tashmes dhe së ardhmes sonë. Prandaj politika e këtij shteti është edhe çështja jonë.