FOKUS – Startup-i ukrainas dhe britanik UFORCE siguron 700 milionë dollarë për prodhimin e dronëve
KIEV/LONDËR, 12 nëntor /ATSH -DPA/ – Kompania e re e mbrojtjes UFORCE, me origjinë ukrainase dhe britanike, ka siguruar 700 milionë dollarë financim nga investitorët perëndimorë për të zgjeruar prodhimin e dronëve, njoftoi kompania.
Mes investitorëve janë Fondi Kombëtar Britanik i Pasurisë (NWF), Fondi Amerikano-Ukrainas për Rindërtim dhe kompania zvicerane e kapitalit sipërmarrës Lakestar, e themeluar nga sipërmarrësi gjerman Klaus Hommels.
UFORCE prodhon dronë ajrorë, detarë dhe tokësorë. Sipas kompanisë, dronët e saj ajrorë kanë kryer deri më tani rreth 330 mijë misione gjatë luftës në Ukrainë.
E themeluar në vitin 2025 dhe me seli në Londër, UFORCE është gjithashtu pjesë e aleancës së dronëve BE-Ukrainë.
Drejtori ekzekutiv, Oleg Rogynskyy, synon që kompania të konkurrojë me prodhuesit perëndimorë të pajisjeve ushtarake. Për këtë qëllim, kapacitetet e prodhimit pritet të ndërtohen dhe zgjerohen në SHBA, Evropë, rajonin Azi-Paqësor dhe Lindjen e Mesme.
“Ky investim do të na ndihmojë të rrisim prodhimin për Ukrainën dhe t’u ofrojmë aleatëve zgjidhje që mund të përdoren, integrohen dhe mirëmbahen me ritmin që kërkon lufta moderne. UFORCE dhe investitorët tanë janë të bashkuar në vendosmërinë për ta bërë agresionin të papërballueshëm”, deklaroi Rogynskyy.
Sipas kompanisë, financimi është siguruar në kuadër të një raundi investimi të njohur si “Series A”, që zakonisht zhvillohet në fazat e para të rritjes së një startup-i, pas themelimit dhe financimit fillestar.
Shuma prej 700 milionë dollarësh konsiderohet jashtëzakonisht e lartë për një raund të kësaj faze.