“Politico” – Zgjedhjet presidenciale në Francë, Marine Le Pen dhe Mélenchon kryesojnë sondazhet
– Një sondazh i ri për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027 në Francë, konfirmon epërsinë e Marine Le Pen dhe Jean-Luc Mélenchon në garën elektorale, ndërsa qendra politike vijon të përballet me vështirësi, për të konsoliduar një kandidaturë të përbashkët.
Sipas sondazhit të realizuar nga “Instituti Cluster17” për “Politico”, më 9 dhe 10 nëntor, Marine Le Pen dhe Jean-Luc Mélenchon mbeten dy kandidatët kryesorë në garën për presidencën franceze.
Në tre skenarët me 11 kandidatë, Le Pen merr nga 30,5% deri në 31% të mbështetjes së votuesve, ndërsa në skenarin e zgjeruar me 18 kandidatë mbështetja e saj arrin në 27%.
Kreu i së majtës radikale, Jean-Luc Mélenchon, renditet i dyti me 20% deri në 20,5% në skenarët me 11 kandidatë dhe 19% në skenarin me 18 kandidatë.
Rezultatet tregojnë një diferencë të konsiderueshme mes dy kandidatëve kryesorë dhe pjesës tjetër të garës, ndërsa asnjë prej përfaqësuesve të qendrës, nuk arrin të afrohet me mbështetjen e tyre.
Qendra politike pa një kandidat dominues
Një nga gjetjet kryesore të sondazhit, është mungesa e një kandidati të vetëm, që mund të bashkojë votën e qendrës dhe të së djathtës së moderuar.
Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, e testuar për herë të parë në këtë sondazh, merr 14% të mbështetjes në një nga skenarët, duke u renditur pranë ish-kryeministrit Edouard Philippe, me 13,5%, dhe përpara Gabriel Attal, me 11%.
Në skenarin me 18 kandidatë, katër emra ndajnë vendin e tretë me nga 8% të mbështetjes: Raphaël Glucksmann, Édouard Philippe, Christine Lagarde dhe David Lisnard.
Sipas “Institutit Cluster17”, fragmentimi i votës në kampin e qendrës dhe të moderuarve, e vështirëson mundësinë e një kandidati të vetëm për të kaluar në raundin e dytë.
Në këtë skenar, votuesit që mbështetën Emmanuel Macron në zgjedhjet presidenciale të vitit 2022, shpërndahen mes disa kandidatëve.
Édouard Philippe merr 23% të kësaj vote, Christine Lagarde 17%, Raphaël Glucksmann 15%, David Lisnard 14% dhe Bruno Retailleau 9%.
Ndërkohë, në skenarët me 11 kandidatë, David Lisnard merr rreth 10%, duke lënë pas Bruno Retailleau, i cili regjistron nga 5% deri në 6%.
Raphaël Glucksmann regjistron nga 10% deri në 11,5% të mbështetjes, në varësi të skenarit të testuar.
Sondazhi përfshin gjithashtu emra të rinj në garën presidenciale, mes tyre ish-xhudisti Teddy Riner, i cili merr rreth 2% në skenarin me 18 kandidatë.
Natacha Polony merr 2,5%, François Ruffin 1,5%, ndërsa Dominique de Villepin dhe François Asselineau regjistrojnë nga 1%.
Rezultatet tregojnë se, pavarësisht numrit të madh të personaliteteve, të përfshira në skenarët elektoralë, mbështetja për kandidatët e rinj mbetet e kufizuar.
Sondazhi i “Cluster17” u realizua më 9 dhe 10 nëntor 2026, për “Politico”, me pjesëmarrjen e 1 242 personave, prej të cilëve 1 164 të regjistruar në listat zgjedhore.
Instituti testoi disa skenarë të mundshëm kandidatësh, pasi lista përfundimtare e pjesëmarrësve në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027 nuk është përcaktuar ende.
Rezultatet pasqyrojnë preferencat e votuesve në momentin e sondazhit dhe nuk përbëjnë parashikim të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve. /