TURQI – Rrëzohet helikopteri ushtarak në Malatya, humbin jetën katër ushtarakë
– Katër ushtarakë kanë humbur jetën pas rrëzimit të një helikopteri ushtarak në provincën Malatya, në lindje të Turqisë, sot në mbrëmje, sipas “Reuters”.
Ministria turke e Mbrojtjes konfirmoi se helikopteri i tipit S-70 u rrëzua për arsye që ende nuk janë përcaktuar, duke shkaktuar vdekjen e katër personave, që ndodheshin në bord.
Në një deklaratë zyrtare, ministria bëri të ditur se ekipet e shpëtimit arritën në vendin e ngjarjes dhe nisën menjëherë operacionet e kërkim-shpëtimit.
Aksidenti ndodhi në zonën Samanköy, në rajonin Yeşilyurt, pranë qytetit Malatya.
Sipas raportimeve të medias turke, helikopteri u përplas në një zonë të hapur, pranë disa ndërtesave, ndërsa pas rrëzimit shpërtheu një zjarr i fuqishëm.
Flakët u përhapën edhe drejt një banese aty pranë, por nuk u raportuan viktima të tjera.
Në vendngjarje mbërritën ambulanca, zjarrfikëse, forcat e policisë dhe ekipet e emergjencës, të cilat ndërhynë për shuarjen e zjarrit dhe sigurimin e zonës.
Ministria turke e Mbrojtjes shprehu ngushëllimet për familjet e katër ushtarakëve të ndjerë, si dhe për Forcat e Armatosura dhe gjithë vendin.
Edhe zëvendëspresidenti turk, Cevdet Yılmaz, reagoi përmes një mesazhi në rrjetet sociale, duke shprehur dhimbjen për humbjen e jetëve dhe duke përcjellë ngushëllimet për familjarët e viktimave.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë detaje mbi shkakun e aksidentit apo misionin, që po kryente helikopteri në momentin e rrëzimit. Hetimet pritet të përcaktojnë rrethanat e ngjarjes.
Helikopteri S-70, i prodhuar nga kompania amerikane “Sikorsky”, është një mjet fluturues ushtarak, që përdoret gjerësisht për transportin e personelit dhe operacione të ndryshme ushtarake.
Një nga variantet më të njohura të kësaj familjeje është “Black Hawk”. /