EMIRATET E BASHKUARA – Aksident tragjik në Fujairah, 14 të vdekur dhe 30 të plagosur nga përplasja e 23 automjeteve
– Të paktën 14 persona humbën jetën dhe 30 të tjerë mbetën të plagosur pas një aksidenti të rëndë rrugor në Emiratin e Fujairah, në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku u përfshinë 18 automjete dhe pesë kamionë, raportoi “Reuters”.
Aksidenti ndodhi para mesnatës në rrugën “Sheikh Khalifa bin Zayed”, pranë hyrjes së qytetit të Fujairah.
Sipas policisë lokale, drejtuesi i një kamioni humbi kontrollin e mjetit, duke u përplasur fillimisht me një automjet tjetër.
Kamioni më pas, u përmbys dhe goditi disa automjete të tjera që kishin ndaluar ose po lëviznin me shpejtësi të ulët, për shkak të trafikut të rënduar.
Pas përplasjes, kamioni mori flakë dhe zjarri u përhap edhe në disa prej automjeteve të dëmtuara, duke shkaktuar pasoja të rënda.
Policia, ekipet e ambulancës, shpëtimit dhe Mbrojtjes Civile mbërritën menjëherë në vendngjarje.
Zjarrfikësit ndërhynë për shuarjen e flakëve, ndërsa ekipet mjekësore u dhanë ndihmën e parë të plagosurve dhe i transportuan ata në spitalet përkatëse.
Nga 30 personat e plagosur, 15 janë larguar nga spitali, pasi kanë marrë trajtimin e nevojshëm, ndërsa 15 të tjerë vijojnë të marrin kujdes mjekësor.
Autoritetet konfirmuan se mes viktimave ka edhe shtetas të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Identiteti i disa prej personave që humbën jetën ende nuk është përcaktuar dhe për këtë po kryhen analiza të ADN-së.
Ndërkohë, mes të plagosurve ka shtetas nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Omani, India, Brazili, Pakistani, Jordania dhe Egjipti.
Policia e Fujairah bëri të ditur se hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit vijojnë. /