E premte, 13 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Arte›Projekt për konservimin emergjent të 7 monumenteve të Butrintit, për herë të parë monitorim strukturor në Portën e Liqenit

Projekt për konservimin emergjent të 7 monumenteve të Butrintit, për herë të parë monitorim strukturor në Portën e Liqenit

Në Parkun Kombëtar të Butrintit po nisin përgatitjet për zbatimin e projektit “Ndërhyrje konservuese emergjente në 7 monumente”, të identifikuara si prioritare pas dokumentimit dhe vlerësimit të gjendjes së tyre.

Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit publikoi listën e monumenteve të cilat janë në fokus të konservimit:

  1. Porta Perëndimore
  2. Afresku pranë Portës Perëndimore
  3. Porta Veriore
  4. Porta e Liqenit
  5. Kolumbariumi
  6. Mozaiku pranë Kolumbariumit
  7. Muri 12 (segmenti i murit fortifikues nga Porta e Liqenit drejt Akropolit)

Ndërhyrjet e planifikuara synojnë stabilizimin e strukturave, parandalimin e degradimit të mëtejshëm dhe ruajtjen e materialeve origjinale. Në kuadër të Planit të Menaxhimit të Konservimit Arkeologjik për Butrintin është realizuar dokumentimi dhe vlerësimi i gjendjes së konservimit të monumenteve, duke kombinuar teknologji bashkëkohore të dokumentimit digjital. Ky proces ka mundësuar identifikimin e problematikave kryesore dhe nevojave për ndërhyrje prioritare, duke shërbyer si bazë për përcaktimin e ndërhyrjeve konservuese emergjente.

“Çdo ndërhyrje për konservimin e monumenteve të Butrintit është një investim në jetëgjatësinë e trashëgimisë sonë. Përmes këtij projekti, po ndërmarrim hapa konkretë për të garantuar qëndrueshmërinë e monumenteve, duke ruajtur vlerat e tyre historike dhe autenticitetin për brezat e ardhshëm”, shprehet Jorida Muho, drejtore ekzekutive e Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit

FMB bëri të ditur, gjithashtu, se për herë të parë, bëhet monitorimi strukturor në Portën e Liqenit, ku, për një periudhë 24-mujore do të instalohet një sistem monitorues për të parë çarje dhe lëvizje të mundshme të strukturës.

Lini një koment