Rikonstruksion i plotë i Mauzoleut të Dëshmorëve në Durrës, hapësira e bibliotekës do të kthehet në muze
Mauzoleu i Dëshmorëve në Durrës po i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë, me synim rehabilitimin e monumentit dhe hapësirave përreth, si dhe kthimin e tij në një hapësirë të vizitueshme për qytetarët.
Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, bëri të ditur se ndërhyrja synon ruajtjen dhe evidentimin e vlerave historike, arkitektonike dhe monumentale të një prej objekteve simbol të qytetit, kushtuar dëshmorëve që sakrifikuan jetën për lirinë e vendit.
Një pjesë e rëndësishme e projektit lidhet me transformimin e hapësirave të brendshme. Biblioteka e Fëmijëve, e cila ka funksionuar në ambientet e monumentit, do të zhvendoset në ambiente të reja dhe më të përshtatshme, ndërsa hapësira që ajo ka shfrytëzuar deri më tani do të kthehet në muze.
Sipas Sakos, projekti përfshin edhe rehabilitimin e mjediseve përreth Mauzoleut, të cilat do të transformohen në një park të gjelbër dhe të aksesueshëm për qytetarët, në një nga zonat qendrore të qytetit.
“Po investojmë për të ruajtur historinë tonë, duke krijuar njëkohësisht hapësira më cilësore për komunitetin”, u shpreh kryetarja e Bashkisë së Durrësit.
Ndërhyrja synon të ndërthurë ruajtjen e trashëgimisë historike dhe monumentale me krijimin e hapësirave të reja kulturore dhe rekreative në shërbim të komunitetit.