Zgjedhjet vendore të 9 majit 2027, KQZ zbulon kur publikohet lista e parë e zgjedhësve
Lista e parë e zgjedhësve për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027 pritet të publikohet deri më 30 nëntor të këtij viti.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile zhvilluan sot një takim për përgatitjen e listave, duke marrë parasysh ndarjen e re administrativo-territoriale.
Në qendër të diskutimeve ishte përshtatja e Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile me ndarjen e re territoriale, si dhe përgatitja e të dhënave të zgjedhësve sipas bashkive të reja.
Gjatë takimit u diskutuan edhe procedurat për përgatitjen, firmosjen dhe afishimin e listave të zgjedhësve, si dhe verifikimi i adresave të qendrave të votimit dhe standardizimi i të dhënave në formularët zgjedhorë.
KQZ dhe Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile theksuan nevojën për koordinim dhe marrjen e masave në kohë, në mënyrë që listat të hartohen dhe publikohen saktë, sipas kërkesave ligjore.
Sipas KQZ-së, ekstrakti i parë i listave të zgjedhësve është parashikuar të publikohet deri më 30 nëntor 2026.