Kapen në kufirin me Greqinë dhjetëra kilogramë drogë, në pranga shqiptarja
Një shtetase shqiptare u arrestua të premten në mëngjes në Igumenicë, pasi u kap duke transportuar lëndë narkotike, siç njofton BalkanWeb. Gjatë kontrollit të automjetit që ajo drejtonte, policia greke gjeti 80 pako marijuanë, me një peshë totale prej 86 kilogramësh e 438 gramësh.
Automjeti, në pronësi të gruas së arrestuar, u ndalua në kuadër të kontrolleve kundër trafikimit të drogës. Pakot e marijuanës u sekuestruan së bashku me automjetin, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur të gjitha rrethanat e ngjarjes.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se droga ishte ngarkuar në zonën e kufirit të gjelbër me Shqipërinë dhe ishte destinuar për t’u transportuar drejt brendësisë së territorit grek.
Ndaj shtetases shqiptare është ngritur një çështje penale, ndërsa ajo pritet të dalë para Prokurorisë së Shkallës së Parë të Thesprotisë.