Kërkohej nga Zvicra për trafik droge dhe pastrim parash, shtetasi i huaj arrestohet në Kakavijë
Një shtetas i huaj, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet zvicerane, u arrestua në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës teksa hynte në Shqipëri, në një operacion të përbashkët të autoriteteve kufitare shqiptare dhe greke, njofton Shqiptarja.com.
Nga kontrolli i pasaportës rezultoi se ndaj tij kishte një urdhër arresti europian nga autoritetet zvicerane për “trafikim të paligjshëm të lëndëve narkotike dhe substancave psikotrope” dhe “pastrim të parave që rrjedhin nga veprimtari kriminale”.
Sipas legjislacionit zviceran, veprat penale për të cilat akuzohet parashikojnë dënim deri në 20 vite burg.
I arrestuari u dërgua në Sektorin për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë në Janinë, ndërsa çështja iu referua Prokurorisë së Apelit të Janinës për veprime të mëtejshme procedurale dhe ekstradim.