E premte, 13 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›“Microsoft”, ndërprerje globale e shërbimeve, “Outlook”, “Teams” dhe “Copilot” jashtë funksionit në dhjetëra vende

“Microsoft”, ndërprerje globale e shërbimeve, “Outlook”, “Teams” dhe “Copilot” jashtë funksionit në dhjetëra vende

– Një ndërprerje e madhe teknike ka prekur shërbimet e kompanisë amerikane “Microsoft”, duke shkaktuar probleme në shkallë globale me platformat “Outlook”, “Teams” dhe “Copilot”, si dhe me disa aplikacione të tjera të “Microsoft 365”, sipas AP.

Problemi nisi sot pasdite, duke prekur përdorues, kompani dhe institucione shtetërore në dhjetëra vende të botës.

Sipas raportimeve të medieve ndërkombëtare, ndërprerja lidhet kryesisht me infrastrukturën e serverëve që mbështesin shërbimet e “Microsoft Exchange Online”, platformën që mundëson funksionimin e postës elektronike dhe shërbimeve të tjera të komunikimit.

Problemet u shfaqën fillimisht te “Outlook”, ku përdoruesit nuk arrinin të hynin në kutitë e tyre postare, të dërgonin apo të merrnin email-e.

Më pas, ndërprerja preku edhe “Microsoft Teams”, platformën e komunikimit për punë, asistentin e inteligjencës artificiale “Copilot”, “SharePoint”, “OneDrive” dhe disa shërbime të tjera.

Sipas të dhënave të platformës “Downdetector”, e cila monitoron ndërprerjet e shërbimeve online përmes raportimeve të përdoruesve, u regjistruan rreth 130 mijë raportime për probleme me Outlook në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa ndikimi u shtri në 74 vende dhe territore.

Problemet me serverët penguan rikthimin e shërbimeve

“Microsoft” deklaroi se po punonte për identifikimin e shkakut dhe rikthimin e funksionimit normal të platformave.

Fillimisht, kompania raportoi ngarkesë të lartë në infrastrukturën e saj, por më pas sqaroi se problemi lidhej me një numër të madh serverësh, që papritur kishin dalë jashtë funksionit.

Sipas shpjegimeve të kompanisë, serverët që mbeteshin aktivë përballeshin me një ngarkesë më të madhe, duke shkaktuar probleme të tjera në funksionimin e tyre.

Përpjekjet për të rikthyer serverët në punë nuk dhanë menjëherë rezultatet e pritshme. Disa prej tyre, pasi rifillonin funksionimin, bëheshin sërish të paarritshëm sapo merrnin trafikun e përdoruesve.

Për këtë arsye, inxhinierët e kompanisë nisën të izolonin pjesë të infrastrukturës së prekur, të rinisnin komponentët problematikë dhe të rikthenin gradualisht trafikun për të kontrolluar qëndrueshmërinë e sistemeve.

Ndërprerja preku edhe institucione shtetërore dhe shërbime shëndetësore

Pasojat e ndërprerjes u ndien edhe përtej përdoruesve të zakonshëm.

Në Britaninë e Madhe, problemet me sistemet teknologjike shkaktuan vonesa në një proces gjyqësor në Mançester, ku gjyqtari u detyrua të dërgonte anëtarët e jurisë në shtëpi për shkak të pengesave në funksionimin e sistemeve.

Disa struktura të policisë britanike, raportuan vështirësi në marrjen e denoncimeve përmes internetit, duke u kërkuar qytetarëve të përdornin telefonin për rastet urgjente.

Edhe shërbimet shëndetësore u prekën. Shoqata Kombëtare e Farmacive në Britani të Madhe paralajmëroi për vonesa të mundshme, në komunikimin me pacientët dhe në marrjen e recetave, për shkak të problemeve me sistemet elektronike të Shërbimit Kombëtar Shëndetësor (NHS).

Në Norvegji, ndërprerja preku disa ministri, ndërsa institucione në Singapor, Australi dhe vende të tjera raportuan gjithashtu probleme me shërbimet e tyre digjitale.

Ndërprerja ndikoi edhe në kompanitë e teknologjisë “OpenAI” dhe “Anthropic”, të cilat përdorin lidhje me shërbimet e “Microsoft 365” për disa prej funksioneve të tyre.

“Microsoft”: Nuk ka prova për sulm kibernetik

Një nga shqetësimet kryesore pas ndërprerjes ishte mundësia e një sulmi kibernetik.

Megjithatë, “Microsoft” deklaroi se nuk kishte asnjë tregues, se problemi ishte shkaktuar nga aktivitet keqdashës apo nga një sulm kibernetik.

Deri më tani, kompania nuk ka publikuar një shpjegim përfundimtar mbi shkakun teknik të incidentit.

Rikthim gradual i shërbimeve

Në përditësimin e fundit të raportuar të premten, “Microsoft” bëri të ditur se po shënoheshin përmirësime në rikthimin e shërbimeve, veçanërisht në Amerikën e Veriut dhe në pjesën më të madhe të Evropës.

Kompania njoftoi gjithashtu se radhët e email-eve që prisnin të dërgoheshin, ishin reduktuar ndjeshëm dhe po i afroheshin niveleve normale.

Megjithatë, disa përdorues mund të vazhdonin të përballeshin me ndërprerje të herëpashershme të aksesit dhe vonesa në marrjen e mesazheve elektronike.

“Microsoft” po vijon punën për rikthimin e plotë të infrastrukturës dhe ka paralajmëruar se do të publikojë një raport të detajuar pas përfundimit të incidentit.

Ndërprerja ka rikthyer në vëmendje varësinë e kompanive dhe institucioneve publike nga një numër i kufizuar gjigantësh teknologjikë, pasi problemet në një platformë të vetme, mund të shkaktojnë pasoja në zinxhir për shumë shërbime dhe sektorë të tjerë. /

Lini një koment