BERLIN – Merkel ndryshon qëndrim për martesat mes personave të së njëjtës gjini: “Sot do të votoja pro”
BERLIN, 13 nëntor /ATSH- ANSA/ – Ish-kancelarja gjermane Angela Merkel (CDU) është shprehur hapur në favor të martesave mes personave të së njëjtës gjini, pothuajse një dekadë pasi votoi kundër në Bundestag.
E pyetur nëse sot do të votonte ndryshe nga viti 2017, Merkel deklaroi në podcastin “Kaffee und Fluchen” se qëndrimi i saj tashmë ka ndryshuar.
“Sot do të votoja pro”, u shpreh ish-kancelarja gjermane.
Në vitin 2017, Gjermania miratoi martesat për të gjithë, duke u dhënë çifteve homoseksuale të njëjtat të drejta ligjore martesore si çiftet heteroseksuale. Me këtë vendim, vendi u bë një nga shtetet e fundit të Evropës Perëndimore që garantoi barazinë e plotë në këtë aspekt.
Duke iu referuar votës së saj kundër në atë kohë, Merkel tha se kishte pasur shqetësime të ndryshme, veçanërisht lidhur me çështjet e mëmësisë surrogate dhe të drejtave të fëmijëve.