E shtunë, 14 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›GREQI – Shembja e ndërtesës kthehet në tragjedi për zjarrfikësit, një viktimë dhe një i plagosur

GREQI – Shembja e ndërtesës kthehet në tragjedi për zjarrfikësit, një viktimë dhe një i plagosur

– Një zjarrfikës është nxjerrë pa shenja jete nga rrënojat e një ndërtese të braktisur në Zefiri, në periferi të Athinës, pasi një pjesë e saj u shemb gjatë operacionit për shuarjen e zjarrit, sipas medias greke “ERT News”.

Ngjarja ndodhi sot paradite, në një ndërtesë të braktisur në rrugën Katsantoni, në bashkinë e Fyli, në rajonin e Atikës.

Sipas medias greke, gjatë ndërhyrjes së zjarrfikësve për shuarjen e flakëve, një pjesë e brendshme e ndërtesës u shemb papritur, duke zënë poshtë disa prej efektivëve që po merrnin pjesë në operacion.

Njëri prej zjarrfikësve u nxor nga rrënojat pa shenja jete dhe u mor nga ambulanca e shërbimit kombëtar të urgjencës EKAB, për t’u transportuar në spital. Një tjetër u nxor i plagosur, ndërsa vijojnë kërkimet për gjetjen e një zjarrfikësi të tretë.

Në vendngjarje u angazhuan 20 zjarrfikës me gjashtë automjete, përfshirë forcat e Njësisë së Parë Speciale të Menaxhimit të Fatkeqësive (EMAK).

Qendra Operacionale e Shërbimit Zjarrfikës u njoftua për zjarrin rreth orës 11:40.

Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e zjarrit dhe rrethanat, në të cilat ndodhi shembja e një pjese të ndërtesës.

Operacioni i kërkim-shpëtimit vijon, me ekipet e emergjencës të përqendruara te gjetja e efektivit të zhdukur. /

Lini një koment