E shtunë, 14 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›Shqipëria surprizon Finlandën në ski, Lara Colturi renditet e dyta në Kupën e Botës

Shqipëria surprizon Finlandën në ski, Lara Colturi renditet e dyta në Kupën e Botës

– Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen në arenën ndërkombëtare të sportit.

Pas rezultateve në futboll, këtë herë është skiatorja, Lara Colturi ajo që ka bërë jehonë në Finlandë, duke u renditur e dyta në garën e slalomit në Levi, në kuadër të Kupës së Botës në ski alpine.

Sportistja që përfaqëson Shqipërinë regjistroi kohën 56,10 sekonda në zbritjen e parë, vetëm 0,36 sekonda pas gjermanes, Emma Aicher, e cila kryeson me 55,74 sekonda.

Në vendin e tretë u rendit kroatja, Zrinka Ljutic me kohën 56,62 sekonda, 0,52 sekonda pas Colturi.

Rezultati i vendos tri skiatorët kryesorë shumë pranë njëri-tjetrit dhe e lë garën të hapur për zbritjen e dytë, ku do të përcaktohet renditja përfundimtare.

Colturi, e cila është një nga emrat e spikatur të skive alpine, rikthehet në pistën Levi të Finlandës, me synimin për të përsëritur suksesin e vitit të kaluar, kur gjithashtu u rendit e dyta në këtë garë, pas amerikanes Mikaela Shiffrin.

Performanca e saj përfaqëson një tjetër rezultat të rëndësishëm për Shqipërinë në sportet dimërore dhe konfirmon praninë gjithnjë e më të fortë të skiatores shqiptare, në garat më të rëndësishme ndërkombëtare./

Lini një koment