E shtunë, 14 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›KIEV – Zelensky për kufizimet e “Starshield” në territoret e pushtuara: Ukraina do ta ngrejë çështjen në të gjitha nivelet

KIEV – Zelensky për kufizimet e “Starshield” në territoret e pushtuara: Ukraina do ta ngrejë çështjen në të gjitha nivelet

KIEV, 14 nëntor /ATSH-Ukrinform/- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, akuzoi kompaninë amerikane “SpaceX”, se po pengon funksionimin e sistemit satelitor “Starlink” në Ukrainë, duke vendosur kufizime shpejtësie, që ndikojnë drejtpërdrejt në operacionet ushtarake të vendit.

Sipas Zelensky, kufizimi në 161 kilometra në orë, bën që lidhja satelitore të ndërpritet kur dronët ukrainas tejkalojnë këtë shpejtësi.

Kjo e vështirëson përdorimin e dronëve përgjues, për të shkatërruar dronët rusë me motor reaktiv, përfshirë ata të tipit “Shahed”.

Në një deklaratë sot për gazetarët në Kiev, Zelensky tha se kufizimet po vazhdojnë prej pesë ditësh në territoret ukrainase të pushtuara përkohësisht nga Rusia, pavarësisht se “SpaceX” ka mohuar vendosjen e tyre.

“Ne kemi kryer testime në drejtime të ndryshme për pesë ditë dhe kemi konfirmuar se kufizimet ekzistojnë”, deklaroi presidenti ukrainas.

Ai shtoi se kompania amerikane e ka cilësuar problemin si teknik, por pala ukrainase nuk e pranon këtë shpjegim.

Zelensky theksoi se situata është veçanërisht shqetësuese, pasi kufizimet duket se zbatohen në territoret e pushtuara nga Rusia, ndërsa në pjesët e tjera të Ukrainës shërbimi funksionon pa të njëjtin kufizim.

Sipas tij, është shqetësuese që kufizimet zbatohen në territoret ukrainase të pushtuara nga Rusia, pasi kjo mund të krijojë përshtypjen se këto zona nuk konsiderohen më pjesë e territorit të Ukrainës.

Presidenti ukrainas tha se vendi i tij, do ta ngrejë këtë çështje në të gjitha nivelet përkatëse.

Ai kërkoi që Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Jashtme dhe komandanti i përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës të angazhohen për zgjidhjen e problemit.

Zelensky paralajmëroi se kufizimet po dobësojnë mbrojtjen ajrore pranë vijës së frontit.

Për shkak të pamundësisë për të përdorur dronët përgjues me shpejtësinë e nevojshme, ushtria ukrainase detyrohet të ndalojë dronët rusë në linja të tjera mbrojtjeje, duke u dhënë forcave ruse më shumë mundësi, për të goditur objektivat e tyre.

Nga ana tjetër, “SpaceX” ka mohuar akuzat për vendosjen e kufizimeve të reja.

Kompania i ka cilësuar pretendimet si të pavërteta dhe ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë ndryshim në funksionimin e shërbimit.

Ndërkohë, autoritetet ukrainase, këmbëngulin se testimet e tyre kanë konfirmuar ndërprerjet.

Kjo nuk është hera e parë që Ukraina përballet me probleme të tilla.

Në mesin e tetorit, ushtria ukrainase raportoi kufizime të ngjashme në shërbimet “Starlink” dhe “Starshield”, të cilat ndërprenë disa misione me dronë.

Shërbimi u rikthye më 24 tetor, por problemet janë shfaqur sërish në nëntor.

“Starshield” është versioni ushtarak i teknologjisë satelitore të “SpaceX”, kompanisë së drejtuar nga Elon Musk, dhe ofrohet për qeverinë amerikane.

Sistemi përdoret nga forcat ukrainase për komunikim ushtarak dhe operacione me dronë.

Çështja ka marrë rëndësi të veçantë për sigurinë e Ukrainës, pasi dronët përgjues janë një nga mjetet që përdoren për të ndalur sulmet ajrore ruse. /

Lini një koment