E shtunë, 14 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›Tragjedi në Greqi! Shembet ndërtesa gjatë shuarjes së zjarrit, humbin jetën dy zjarrfikës dhe plagoset një tjetër

Tragjedi në Greqi! Shembet ndërtesa gjatë shuarjes së zjarrit, humbin jetën dy zjarrfikës dhe plagoset një tjetër

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë operacionit për shuarjen e një zjarri në një ndërtesë të braktisur në Zefiri, në bashkinë e Filit, mesditën e së shtunës. Dy zjarrfikës, përkatësisht 23 dhe 44 vjeç, kanë humbur jetën pasi një pjesë e ndërtesës ku po ndërhynin u shemb. Nga incidenti mbeti i plagosur edhe një tjetër zjarrfikës.

Autoritetet po hetojnë nëse dy efektivët humbën jetën nga asfiksia, për shkak të tymit dhe kushteve brenda ndërtesës që ishte përfshirë nga flakët, apo nëse u zunë poshtë nga materialet ndërtimore që u shembën.

Zjarri shpërtheu në një ndërtesë të braktisur në rrugën “Katsantoni”, në bashkinë e Filit. Qendra Operacionale e Shërbimit Zjarrfikës u njoftua rreth orës 11:40 të paradites, sipas orës lokale.

Në vendngjarje u angazhuan 20 zjarrfikës me gjashtë automjete nga stacionet e 10-të, 6-të dhe 12-të të zjarrfikësve të Athinës, si dhe forcat e njësisë speciale EMAK.

Gjatë operacionit për shuarjen e zjarrit, ndërsa zjarrfikësit po ndërhynin brenda ndërtesës së braktisur, një pjesë e saj u shemb, duke shkaktuar alarm për nxjerrjen e efektivëve të bllokuar.

Njëri prej zjarrfikësve u nxor fillimisht pa shenja jete dhe u mor nga një ambulancë e Shërbimit Kombëtar të Urgjencës (EKAB), për t’u transportuar në Spitalin Attikon. Një tjetër u nxor i plagosur, ndërsa informacionet e para bënin të ditur se po kërkohej edhe një zjarrfikës i tretë.

Informacionet e fundit konfirmojnë vdekjen e dy zjarrfikësve dhe plagosjen e një tjetri.

Shkaqet e zjarrit, si dhe rrethanat që çuan në shembjen e një pjese të ndërtesës, vijojnë të jenë nën hetim.

Për këtë qëllim është angazhuar Njësia Hetimore për Krimet e Zjarrit në Athinë. Të dhëna të rëndësishme pritet të dalin edhe nga hetimi mbi rrethanat.

Lini një koment