E shtunë, 14 Nëntor 2026
54°F Detroit
Ballina›Bota›HELSINKI – Finlanda refuzon kërkesën e Rusisë për t’u larguar nga NATO

HELSINKI – Finlanda refuzon kërkesën e Rusisë për t’u larguar nga NATO

– Finlanda ka kundërshtuar raportimet se Rusia kërkon që vendi të largohet nga NATO-ja, si pjesë e negociatave për përfundimin e luftës në Ukrainë, sipas “Yle”.

Ministri finlandez i Mbrojtjes, Antti Häkkänen, deklaroi se anëtarësimi i Finlandës në Aleancën e Atlantikut të Veriut nuk është objekt negociatash.

“Çështje të tilla nuk janë në asnjë mënyrë objekt diskutimi. Rusia e di këtë. Është krejtësisht e papranueshme që të propozohet diçka e tillë”, u shpreh Häkkänen, sipas transmetuesit publik finlandez “Yle”.

Reagimi i Helsinkit erdhi pas një raportimi të gazetës gjermane “Bild”, sipas së cilës negociatorët rusë kishin paraqitur një sërë kërkesash gjatë diskutimeve në Abu Dabi, të cilat synojnë përfundimin e luftës në Ukrainë.

Sipas gazetës, propozimet ruse nuk kufizoheshin vetëm te territori ukrainas, por përfshinin edhe ndryshime në arkitekturën e sigurisë në Evropë.

Sipas raportimit të “Bild”, Moska kërkon gjithashtu, që NATO të mos vendosë baza ushtarake në shtetet baltike, Estoni, Letoni dhe Lituani.

Propozimi rus parashikon që Rusia, të mbajë nën kontroll të gjitha territoret ukrainase që aktualisht ka pushtuar, si dhe të marrë kontrollin e të gjithë rajonit të Donbasit, përfshirë zonat që ende mbahen nga forcat ukrainase.

Një tjetër kërkesë lidhet me mbajtjen e Ukrainës jashtë aleancave ushtarake. Kjo do të përjashtonte anëtarësimin e saj në NATO, ndërsa mundësia e anëtarësimit në Bashkimin Evropian do të mbetej e hapur.

Në këmbim, Rusia thuhet se ka ofruar të tërheqë armët bërthamore nga Bjellorusia dhe të mos vendosë atje raketa me rreze të ndërmjetme veprimi.

“Bild” raportoi se propozimet jozyrtare, iu paraqitën përfaqësuesve evropianë gjatë diskutimeve në Abu Dabi, por mbetet e paqartë se cilat prej tyre, do të mbështeten përfundimisht nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Kremlini mohon kërkesën

Nga ana tjetër, Kremlini ka mohuar se Moska i ka kërkuar Finlandës të largohet nga NATO-ja.

Zëdhënësi i presidentit rus, Dmitry Peskov, deklaroi se nuk kishte dijeni për një kërkesë të tillë dhe se kjo çështje nuk ishte diskutuar.

Megjithatë, ministri finlandez i Mbrojtjes, Häkkänen, tha se Rusia prej kohësh kërkon të krijojë kufizime për NATO-n dhe praninë e saj ushtarake në Evropë.

Ai kujtoi se Moska kishte paraqitur kërkesa të ngjashme edhe në vitin 2021, përpara nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës.

Finlanda iu bashkua NATO-s në vitin 2023

Finlanda ka një kufi prej rreth 1,340 kilometrash me Rusinë dhe iu bashkua NATO-s në prill 2023, pasi aplikoi për anëtarësim pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022.

Ky vendim shënoi një ndryshim të rëndësishëm në politikën e saj të jashtme, pasi Finlanda kishte ruajtur për dekada një politikë mosangazhimi ushtarak.

Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, pas takimit me të dërguarit amerikanë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner në Dublin, paralajmëroi se një kuadër i ri i sigurisë evropiane, i propozuar nga pala amerikane, mund të përmbajë rreziqe.

Ai theksoi se Rusia nuk mund të marrë vendime në emër të vendeve anëtare të NATO-s.

“Dëshira e Putinit për të ndryshuar kufijtë në Evropë është një fakt. Jam i bindur se kjo është pjesë e konceptit të tij, për rishikimin e garancive të sigurisë në Evropë. Kjo është e rrezikshme, sepse, sipas mendimit tim, pikërisht këto çështje çojnë në luftëra ose përshkallëzime”, deklaroi Zelensky. /

Lini një koment