Procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Limaj: Dyshime të forta për integritetin e trupit gjykues dhe ndërhyrje politike nga EULEX-i
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka kritikuar mënyrën e funksionimit të Gjykatës Speciale, duke ngritur dyshime për integritetin e gjyqtarëve që kanë qenë pjesë e trupave gjykues në proceset ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë një paneli diskutimi me temën “Kosova pas 16 shtatorit”, të organizuar nga Kolegji Universitar AAB, Limaj tha se kryetarja e Gjykatës Speciale ka kompetenca për përzgjedhjen e gjyqtarëve dhe funksionimin e gjykatës, por sipas tij, nuk ka arritur të garantojë integritetin e trupave gjykues.
Ai tha se vendimet dhe veprimet e saj dëshmojnë për përzgjedhjen e gjyqtarëve me integritet të dyshimtë dhe se njëri prej gjyqtarëve është i dyshuar për ndërhyrje në procesin e tij gjyqësor.
“Jo vetëm te dëshmitarët, e keni parë faktin se çfarë ka ndodhur me trupin gjykues që ka gjykuar katër drejtuesit tanë. Do të thotë, ka dyshime për integritetin e tyre personal. Njëri prej tyre ka qenë në procesin tim gjyqësor… Është i dyshuar se ka intervenuar, ka tentuar të intervenojë në procesin gjyqësor. Kryetari i trupit gjykues që ka gjykuar katër bashkëluftëtarët tanë është njëri i cili ka qenë në EULEX në Prishtinë dhe ka qenë i përfolur për marrjen e vendimeve, urdhrave politikë nga shefat e tyre”, deklaroi Limaj.
Limaj, ka kritikuar vonesat në shqyrtimin e Ligjit për Gjykatën Speciale në Kuvendin e Kosovës, duke i cilësuar ato si papërgjegjësi dhe mungesë serioziteti nga ana e deputetëve.
Duke folur për mos shqyrtimin e çështjes në seancën e fundit, Limaj tha se procesi është zvarritur që nga kthimi i ligjit në Kuvend dhe se deputetët duhet t’i japin epilog kësaj çështjeje.
“Unë besoj që ajo që ka ndodhur me ligjin, nga koha e miratimit e deri tani, është një joseriozitet i madh. Është një papërgjegjësi e jashtëzakonshme. Ftesa ime është për deputetët që të bëhen seriozë dhe ta kuptojnë për çka po flasim. Ky ligj është vonuar dhe nuk ka kohë për pritje. Duhet t’i japin epilog kësaj çështjeje”, tha Limaj.
I pyetur për mungesën e deputetëve të PDK-së në seancën ku pritej të shqyrtohej Ligji për Specialen, Limaj u shpreh i zhgënjyer, duke e cilësuar të pakuptueshme sjelljen e tyre.
“Zhgënjyese. Jam shumë i zhgënjyer. Për mua krejt kjo është e pakuptueshme. Nuk duhet të ketë papërgjegjësi në këtë nivel. Kjo është një lojë e madhe me ndjenja dhe me ato që u janë premtuar atyre atje. Ftesa ime është t’i jepet fund këtij joserioziteti dhe t’i jepet epilog këtij ligji. Të dështojë seanca për shkak të zgjatjeve të drekave është skandaloze”, deklaroi Limaj.
Limaj shtoi se deputetët duhet ta përmbyllin sa më shpejt këtë çështje, duke e cilësuar atë ndër temat më të rëndësishme për vendin.