Deputetët opozitarë me kërkesë për shkarkimin e Neime Binaku-Isufit nga Autoriteti i Konkurrencës
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arben Mustafa, njëherësh kryetar i Komisionit për Ekonomi në Kuvendin e Kosovës ka bërë të ditur se kanë iniciuar kërkesën për shkarkimin e kryetares së Autoritetit të Konkurrencës, Neime Binaku – Isufi.
Mustafa në një postim në Facebook një iniciativë e tillë është marr bashkë me deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës.
Lexoni të plotë postimin e tij:
Në kuadër të angazhimit për të adresuar parregullsitë në Autoritetin e Konkurrencës, si Kryetar i Komisionit për Ekonomi, bashkë me deputetë të PDK-së, LDK-së dhe Aleancës, kam iniciuar kërkesën për shkarkimin e Kryetares së Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës, Neime Binaku-Isufi.
Shkeljet e dyshuara ligjore, moszbatimi i vendimeve të institucioneve administrative dhe gjyqësore, përfshirja në aktivitete politike të ndaluara me ligj dhe mungesa e llogaridhënies para Komisionit parlamentar kërkojnë përgjegjësi institucionale.
Ndërkohë, deputetët e Vetëvendosjes, duke votuar vazhdimisht largimin e kësaj pike nga rendi i ditës së Komisionit për Ekonomi, kanë penguar diskutimin parlamentar lidhur me parregullsitë dhe shkeljet e dyshuara ligjore të raportuara në këtë institucion.
Përgjegjësia për funksionimin e ligjshëm të këtij institucioni është edhe përgjegjësi e Kuvendit dhe e të gjithë deputetëve që kanë për detyrë ta mbikëqyrin atë. /Telegrafi/