Kolkondasi, aty ku historia, arti dhe besimi ndërthuren
Rreth 9 kilometra në veri të qytetit të Fierit, pranë rrjedhës së lumit Seman dhe në një lartësi të ulët mbidetare ndodhet Kolkondasi, një fshat në njësinë administrative Libofshë, pjesë e bashkisë dhe Qarkut të Fierit, në rajonin e Myzeqesë.
Fshati njihet historikisht si vendi ku më 24 gusht 1779 u ekzekutua dhe u varros murgu dhe predikuesi i njohur Shën Kozmai i Etolisë (ose Shën Kozmai i Kolkondasit).
Në Kolkondas ndodhet kompleksi i Manastirit të Shën Kozmait, i ndërtuar në fillim të shekullit të 19-të (me ndihmën financiare të Ali Pashë Tepelenës). Kompleksi përfshin Kishën e Shën Kozmait dhe Kishën më të vjetër të Shën Marisë (e shquar për pikturat murale dhe afresket), dhe është shpallur Monument Kulture i Kategorisë së Parë që në vitin 1963.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja solli sot në vëmendje pikturat murale të Kishës së Shën Marisë dhe Kishës së Shën Kozmait.
E ndërtuar në vitet 1814–1815, kompleksi i Kolkondasit dëshmon pasurinë historike, artistike dhe shpirtërore të Myzeqesë.
Gonxhja thekson rëndësinë e këtij kompleksi si një destinacion me vlera të veçanta, që pasuron mozaikun e trashëgimisë kulturore dhe ofertën e turizmit kulturor në Shqipëri.
Ai ndërthur arkitekturën kishtare pasbizantine të rajonit të Myzeqesë me traditën e shkollës piktoreske të Çetirëve.
Gjatë periudhës së komunizmit (pas vitit 1967), manastiri u mbyll dhe pësoi dëmtime të rënda, ndërsa përmbytjet e lumit Seman dëmtuan rëndë kishën e vjetër. Pas viteve ’90, kompleksi u restaurua plotësisht.
Kompleksi i rrethuar me mure guri organizohet rreth një oborri të gjerë dhe përbëhet nga katër elemente kryesore: Kisha e Shën Kozmait (Katolikoni), Kisha e Shën Marisë (1782), paraklisi dhe qenotafi. Midis dy kishave ndodhet një paraklis i vogël ku ruhet qenotafi (varri simbolik) i Shën Kozmait dhe Konakët e manastirit.
Dekorimi mural i kompleksit lidhet me familjen e njohur të piktorëve ikonografë nga Grabova, Çetirët (kryesisht vëllezërit Gjergj dhe Nikolla Çetiri), të cilët kanë pikturuar shumicën e kishave të Myzeqesë në fund të shek. XVIII dhe fillim të shek. XIX.