«Fatherland» i Paweł Pawlikowski kryeson nominimet për Çmimet Evropiane të Filmit me 11 kandidatura
Akademia Evropiane e Filmit shpalli të shtunën, gjatë Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Selanikut, nominimet për edicionin e 39-të të Çmimeve Evropiane të Filmit. Sipas VIMooZ, në krye të listës qëndron «Fatherland» i regjisorit polak Paweł Pawlikowski, me 11 kandidatura, përfshirë edhe kategorinë kryesore, atë të Filmit Evropian. Filmi, që rrëfen marrëdhënien mes shkrimtarit Thomas Mann dhe vajzës së tij Erika, është prodhim i Polonisë, Gjermanisë, Italisë dhe Francës.
Në vendin e dytë renditet «La Bola Negra» e Javier Calvo dhe Javier Ambrossi, me dhjetë kandidatura, ndërsa «Fjord» i Cristian Mungiu, fitues i Palmës së Artë në Kanë, mori pesë. Të tre filmat konkurrojnë edhe për çmimin e Filmit Evropian, ku janë nominuar gjithashtu, mes të tjerëve, «Woman Unknown» i May el-Toukhy dhe «La Gradiva» e Marine Atlan.
Për Regjisorin Evropian garojnë Pawlikowski, dyshja Calvo–Ambrossi dhe Mungiu, së bashku me Sandra Wollner për «Everytime» dhe Andrey Zvyagintsev për «Minotaur». Pawlikowski është nominuar edhe si skenarist, bashkë me Henk Handloegten, dhe si montazhier, bashkë me Piotr Wójcik.
Te aktoret, Sandra Hüller ka marrë dy kandidatura — për «Fatherland» dhe për «Rose» — ndërsa në garë janë edhe Renate Reinsve për «Fjord», Penélope Cruz për «Bunker», Léa Seydoux për «Gentle Monster» dhe Mathilde Arcel për «Woman Unknown». Te aktorët konkurrojnë Hanns Zischler për «Fatherland», Sebastian Stan për «Fjord», Javier Bardem për «The Beloved», Andrew Scott për «Elsinore» dhe Swann Arlaud për «A Man of His Time».
Nominimet u përcaktuan me votat e 5.700 anëtarëve të Akademisë Evropiane të Filmit. Fituesit do të shpallen në ceremoninë e 16 janarit në Qendrën Kulturore të Fondacionit Stavros Niarchos në Athinë, ku aktorja Hiam Abbass do të marrë edhe Çmimin Evropian për Arritje në Kinemanë Botërore, për të gjithë veprën e saj.