Detroit Public Schools feston talentin e nxënësve në koncertin dhe ekspozitën vjetore të arteve në Fox Theatre
Mbi 700 nxënës nga shkollat publike të Detroitit morën pjesë në edicionin e 57-të të “Evening of Fine Arts”, një koncert dhe ekspozitë arti që shfaq talentet më të mira të muzikës, kërcimit dhe arteve pamore.
Fox Theatre u mbush të mërkurën me muzikë, vallëzim dhe energji artistike gjatë edicionit të 57-të të “Evening of Fine Arts”, eventi tradicional që prezanton talentet më të mira të Detroit Public Schools Community District.
Mbi 700 të rinj morën pjesë në koncertin dhe ekspozitën artistike, ku u prezantuan performanca muzikore, koreografike dhe punime të arteve pamore nga nxënës të shkollave të ndryshme të Detroitit.
“It’s a huge celebration of the arts,” tha Andrew McGuire, duke e përshkruar aktivitetin si një festë të madhe të artit dhe të zërit të të rinjve në një nga skenat më të rëndësishme të qytetit.
Në koncert morën pjesë nxënës nga Cass Technical High School, Renaissance High School, Martin Luther King Jr. Senior High School, Mumford High School dhe Henry Ford High School, si edhe nga Detroit School of Arts, John King Performing Arts Academy dhe Duke Ellington Conservatory of Music and Art.
Aktiviteti përfshiu gjithashtu edhe ekspozita me punime artistike të nxënësve nga e gjithë zona shkollore e Detroitit.
Addison Lackey, nxënëse në vitin e tretë në Cass Tech, tha se violina i jep ndjenjë paqeje dhe e ndihmon të shprehë emocionet e saj përmes muzikës. Ajo interpretoi pjesë nga vepra orkestrale “Palladio” e Karl Jenkins.
Ndërkohë, Sterling Lawson, maturant në Cass Tech, e krahasoi eventin me një “All-Star Game”, ku të gjitha shkollat mblidhen së bashku përmes muzikës dhe artit.
“Kur bëhesh pjesë e diçkaje kaq të madhe dhe sheh të gjitha shkollat bashkë, rivalitetet zhduken për një moment dhe të gjithë jemi në harmoni,” tha Lawson.
Teksa eventi afrohet drejt 60-vjetorit të tij, organizatorët e shohin atë si një vazhdim të traditës artistike të Detroitit.
“Detroit është vendlindja e krijimtarisë dhe e shumë formave të artit,” tha McGuire. “Ky aktivitet është vazhdim i asaj trashëgimie.”